Mesazh ngushëllimi nga Presidenti i Republikës

23/11/2014 00:00

Me rastin e ndarjes së parakohshme nga jeta të ambasadorit tonë në Maqedoni, Petrit Bushati, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka dërguar një mesazh ngushëllimi fëmijëve, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Petrit Bushati. Sëmundja e rëndë e ndau atë në mënyrë të parakohshme nga të dashurit e tij, fëmijët, të afërmit, miqtë dhe kolegët, të cilëve u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera e të sinqerta. Në këto çaste hidhërimi jam pranë dhe lutem së bashku me fëmijët dhe të afërmit e tij që i ndjeri ambasador Petrit Bushati të gjejë paqen dhe prehjen e merituar”, lexohet në mesazhin e Presidentit.
 
“Ndarja nga jeta e Ambasadorit Bushati është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike dhe shërbimin e jashtëm shqiptar, ku ka shërbyer e kontribuar me devocion dhe profesionalizëm prej dekadash. Ai do të kujtohet me respekt edhe nga diplomatët e rinj shqiptarë, mentor i shumë prej të cilëve gjatë këtyre viteve, ai ka qenë”, lexohet më tej në mesazhin e zotit Nishani.

Top Channel