Irani: E pamundur marrëveshja brenda 24 nëntorit

23/11/2014 00:00

Irani ka bërë të ditur se është thuajse e pamundur që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda afatit përfundimtar të 24 nëntorit me fuqitë botërore, marrëveshje që synon t’i japë fund përplasjeve prej disa dekadash në lidhje me ambiciet bërthamore të Teheranit.

Lajmi është raportuar këtë të diel nga Agjencia e Lajmeve të Studentëve Iranianë (ISNA), e cila ka cituar një anëtar të paidentifikuar të qeverisë iraniane, i cili ndodhet në ekipin negociator të Iranit në Vjenë, të ketë thënë se “duke marrë në konsideratë kohën e shkurtër të mbetur përpara afatit përfundimtar dhe numrin e madh të çështjeve të pazgjidhura e që duhen diskutuar, është thuajse e pamundur që të arrihet një marrëveshje e duhur brenda këtij afati”.

“Çështja e shtyrjes së afatit të bisedimeve është një nga opsionet mbi tavolinë, ndërkohë që ne do ta marrim në konsideratë atë, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje brenda natës së të dielës”, tha zyrtari në kushtet e anonimitetit.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina nisën raundin përfundimtar të bisedimeve me Iranin gjatë së martës, në përpjekje për të siguruar një pakt, sipas të cilit Teherani do të kufizojë kërkimet dhe pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve të dëmshme ekonomike të vendosura ndaj tij.

Irani refuzon akuzat e Perëndimit se po synon të zhvillojë kapacitetet për krijimin e një bombe bërthamore.

Ndërkohë, diplomatë iranianë dhe perëndimorë që janë në negociata në Vjenë thanë për “Reuters” se dy palët mbeten ende larg arritjes së një marrëveshjeje, kjo për shkak të disa çështjeve bazë si kapaciteti i pasurimit të uraniumit dhe periudha e heqjes së sanksioneve.

Zyrtari iranian është cituar të ketë thënë se “palët po përpiqen të arrijnë një akord kuadër mbi disa çështje të rëndësishme si numri i centrifugave, kapaciteti i pasurimit dhe koha e heqjes së sanksioneve”.

Ndërkaq, agjencia e lajmeve Itar-TASS e Rusisë ka bërë të ditur se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të mbërrijë mbrëmjen e së dielës në Vjenë për të marrë pjesë në bisedimet ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit.

Lavrov kishte anuluar më herët takimet e tij të planifikuara për të hënën në Moskë, pasi fuqitë bërthamore dhe Irani vendosën ta zhvillonin raundin e fundit të bisedimeve në Vjenë.

Top Channel