Ndërsa energjia elektrike dhe punësimi janë kthyer në kryefjalën e ditës, HEC-i i Vlushës në zonën e Skraparit për kryetarin e LSI, do ketë ndikim për këtë zonë në të dyja këto sfida madhore.

Në inaugurimin e këtij HEC-i me një kapacitet me fuqi të instaluar 12.4 megavat fuqi të instaluar, Ilir Meta e cilësoi si investimin më të rëndësishëm në fushën e energjisë së rinovueshme në këtë zonë, për furnizimin e saj dhe punësimin e njerëzve.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer, jo vetëm për të sjellë më tepër energji të pastër në sistemin tonë energjetik, por për të sjellë edhe më shumë shpresë për të ardhmen e komunitetit të Skraparit, duke besuar se projekte të tjera do të shtohen në këtë zonë”, u shpreh Meta.

Ky investim me kapital të përbashkët italo-shqiptar, shtrihet mbi luginën e përroit të Çorovodës dhe ndërtuesit thanë se janë respektuar parametrat për të mos dëmtuar natyrën. Investimi total kap vlerën e 16 milionë euro, nga të cilat qeveria ka investuar për ndërtimin e linjës së furnizimit me energji Uznovë-Çorovodë me fuqi 110 kë.

Projekti për turizmin në Skrapar
Gjermani: Turizmi sektori strategjik i zhvillimit të ekonomisë

Gjatë kësaj vizite Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit për mbështetjen e zhvillimit turistik të Skraparit.  

“Unë kam bindjen e plotë që shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë , dhe do të ndryshojnë dhe ne nuk do të mbetemi vetëm në shfrytëzimin, ku prapë mbetet shumë hapësirë për më shumë bukuri tona bregdetare apo dhe malore në përgjithësi, por në veçanti të çdo zone. Lugina e Osumit është e jashtëzakonshme, është unike, aq më tepër kur ajo bashkohet edhe me luginën e Vjosës. Unë mendoj që projekti italian ka qenë shumë i suksesshëm në rrethin e Përmetit dhe besoj se do të jetë shumë i suksesshëm edhe këtu në Skrapar. Prandaj, ju uroj suksese dhe shpreh bindjen që shoqëruar edhe me investime  të bëra nga Qeveria shqiptare, padyshim që e gjithë infrastruktura do të nxjerrë në pah këto produkte turistike dhe këto bukuri natyrore, do të lehtësojë si asnjëherë më parë zhvillimin e turizmit”, deklaroi Meta.

Nga ana e saj ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, u shpreh se Qeveria shqiptare e konsideron turizmin sektor strategjik  të zhvillimit të ekonomisë.

“Vërtet jam shumë e kënaqur në lidhje me marrëveshjen e një projekti të rëndësishëm që përputhet tërësisht me strategjinë e zhvillimit të turizmit që ka Qeveria shqiptare. Jo vetëm duke e konsideruar turizmin si sektor strategjik  të zhvillimit të ekonomisë, por nga ana tjetër duke e  parë çdo qytet, çdo njësi vendore si një potencial të jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një destinacion të preferuar turistik”, tha Gjermeni.

Projekt i iniciuar nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim dhe i mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Bashkia e Çorovodë dhe disa komuna të zonës synon që nëpërmjet infrastrukturës  turistike të promovohen bukuritë natyrore dhe produktet bio të Skraparit.

Top Channel