Portugali, pranga ish-kryeministrit Socrates

22/11/2014 00:00

Ish-kryeministri i Portugalisë, Jose Socrates është arrestuar nga policia e këtij vendi në kuadër të një hetimi të gjerë për korrupsion.

Socrates, që udhëhoqi qeverinë e qendrës së majtë nga viti 2005 deri në 2011 u arrestua të premten në aeroportin e Lisbonës.

Ish-lideri politik i vendit është një nga katër personat që u arrestuan si pjesë e hetimit për pastrim parash dhe marrje ryshfeti.

Njoftimi i vënies së tij në pranga vjen në një moment kur një seri hetimesh për korrupsion po zhvillohen në Portugali. Zoti Socrates u ndalua gjatë orëve të natës.

Në një deklaratë të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm thuhet se hetuesit kanë kryer kontrolle në vendbanime të ndryshme, të ndihmuar nga 70 agjentë të njësive të ndryshme policore.

Flitet se hetimi ka në fokus disa operacione dhe transferta bankare që janë kryer pa asnjë justifikim apo pa asnjë motiv ligjor.

Gjithashtu, mediat lokale raportojnë edhe për një hetim të gjatë ndaj shumë figurave publike që dyshohen për evazione të mëdha fiskale.

Zhvillimet e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi ministri i Brendshëm i Portugalisë, Miguel Macedo dha dorëheqjen si pasojë e një tjetër hetimi për korrupsion në këmbim të lejeve të qëndrimit për emigrantët.

Top Channel