Moska: Perëndimi synon ndryshimin e regjimit rus

22/11/2014 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë synojnë të imponojnë një ndryshim regjimi në Moskë.

“Sa për konceptin që fshihet prapa atyre që përdorin masa shtrënguese, Perëndimi po e bën të qartë se nuk do që të ndryshojë politikën e Rusisë, por regjimin e saj”, deklaroi Lavrov.

Duke folur para këshilltarëve për politikën e jashtme, Lavrov zbërtheu atë që e quajti skema e sanksioneve të BE dhe Shteteve të Bashkuara.

“Figurat publike në vendet perëndimore deklarojnë se vendosja e sanksioneve është e nevojshme për të shkatërruar ekonominë dhe për të shkaktuar më pas protesta publike”, vijoi shefi i diplomacisë ruse, pa përmendur emrat e zyrtarëve perëndimorë.

Ditën e enjte ishte presidenti rus Vladimir Putin që tha se Moska duhet të mbrohet nga çdo “revolucion me ngjyrë”.

Duke iu referuar protestave popullore në ish-vendet sovietike, Putin tha se, “bota mund ta shohë fare lehtë se çfarë pasojash tragjike mund të sjellë vala e revolucioneve të tilla.

Kryengritja e vitit 2004 në Ukrainë u njoh në mbarë botën si Revolucioni Portokalli, ndërsa në Gjeorgji i ashtuquajturi Revolucioni i Kuq u verifikua në vitin 2003.

“Duhet të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme për t’u siguruar se gjëra të ngjashme nuk do të ndodhin kurë në Rusi”, tha Putin.

Sanksionet perëndimore iu vendosën për herë të parë Rusisë kur aneksioi rajonin ukrainas të Krimesë, pas një referendumi të diskutueshëm.

Masa të tjera janë marrë që prej atëherë, që kanë prekur edhe zyrtarë e kompani të rëndësishme ruse.

Top Channel