Lushnjë, arrestohet drejtoresha e Arsimit

22/11/2014 00:00

Nga 3 deri në 5 mijë euro ishte shuma që drejtoresha arsimore e qytetit të Lushnjes, Liza Tabaku merrte për çdo emërim apo moslargim nga detyra, e për këtë aktivitet të paligjshëm ajo ndihmohej nga djali i saj, Xhanluka Bakiasi dhe një tjetër person, Rigert Zeneli.

Të tre janë arrestuar mesditën e së shtunës nga policia e Lushnjes, pas një hetimi disamujor të prokurorisë së këtij qyteti.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Përgjithshme, Bakiasi dhe Zeneli janë arrestuar në momentin që sapo i kishin marrë një shumë parash një mësuesi, në këmbim të premtimit për të mos e larguar nga puna. Sipas hetimeve, rezulton që kjo shumë parash do të dorëzohej tek drejtoresha e zyrës arsimore, Liza Tabaku.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e Tabakut, në fshatin Dushk, janë gjetur 12 mijë euro dhe 80 mijë lekë, ndërsa në momentin e arrestimit ajo ka pasur me vete 2 mijë euro, të cilat mësohet se ka tentuar t’i hedhë në tualetin e komisariatit të policisë, me qëllim fshehjen e provave.

Por kjo gjë nuk ka mjaftuar, pasi hetimi disamujor ka provuar se Tabaku kryente veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke ofruar transferimin apo emërimin e personave të ndryshëm kundrejt përfitimeve të paligjshme, ku ndermjetes ishin djali i saj Xhanluka Bakiasi dhe shtetasi tjetër Rigert Zeneli.

Ndaj tre personave të arrestuar Prokuroria e Lushnjes ka ngritur akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” ndaj Liza Tabakut, ndërsa për Bakiasin dhe Zenelin atë të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Top Channel