Meksikë, protesta masive për studentët e zhdukur

21/11/2014 00:00

Të afërmit e 43 studentëve të zhdukur në Meksikë, të cilët sipas autoriteteve janë vrarë nga një bandë droge, kanë zhvilluar protesta masive në kryeqytet.

Marshimet ishin në përgjithësi paqësore, por disa protestues u përleshën me policinë në afërsi të pallatit presidencial.

Autokolona me protestues mbërritën në Meksiko Siti të enjten, pas një turi të gjatë në mbarë vendin në mbështetje të protestave.

Shumë prej tyre kanë mbetur të pakënaqur nga shpjegimi zyrtar mbi zhdukjen e studentëve dhe vazhdojnë të shpresojnë se ata janë ende gjallë.

Protestues të maskuar u përplasën me policinë në afërsi të aeroportit, pak orë para se tre marshimet të nisnin.

Francisco Lagro, babai i një 19-vjeçari të zhdukur, udhëtoi me një nga autokolonat drejt kryeqytetit ditën e enjte.

“U bënë thuajse dy muaj që nuk dimë se ku janë. Ne nuk dimë asgjë dhe jemi shumë të dëshpëruar”, deklaroi ai. “Çfarë po bëjnë, në ç’gjendje janë? A u japin ushqime dhe ujë? A janë të lidhur apo jo? Ne kemi shumë pyetje”, tha ai.

Mijëra persona morën pjesë në tre manifestimet të mbajtura në kryeqytet, shumica prej të cilëve u mblodhën në sheshin kryesor Zocalo.

Gjithashtu, disa qindra protestues u mblodhën pranë pallatit presidencial, ku policia u përpoq t’i zmbrapste duke përdorur topa uji. Në mediat e huaja nuk raportohet për të plagosur.

Në aktet e dhunës pranë aeroportit të Meksiko Sitit, më herët gjatë së enjtes, rreth 200 protestues të maskuar hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj oficerëve të policisë që po përpiqeshin t’i shpërndanin.

Top Channel