F1, Hamilton: Nuk do të rrezikoj

21/11/2014 00:00

Lewis Hamilton ka deklaruar se nuk do të marrë përsipër rreziqe të kota në Cmimin e Madh të Abu Dabit, gara e fundit e Botërorit të Formulës 1. Britanikut i mjafton një vend i dytë për t’u shpallur kampion dhe ai është i vendosur për të plotësuar objektivin.

“Të gjithë e dinë që unë e nis garën për ta fituar dhe do të mundohem ta fitoj, por sigurisht që nuk do të rrezikoj pasi nuk kam pse”, shkroi piloti i Mercedesit në kolumnën e tij për BBC.

Hamilton ka 17 pikë avantazh ndaj shokut të tij të skuadrës Nico Rosberg dhe një vend i dytë do i mjaftonte pët të fituar titullin e dytë në karrierë. Gjithsesi, 29-vjeçari theksoi se çfarëdo që të ndodhë të dielën, ky do të jetë sezoni më i mirë i karrierës së tij.

“Nga të gjitha vitet e mia në Formulën 1, ky është viti që jam ndjerë më i përqendruar dhe që kam pilotuar më mirë. Kam bërë shumë pak gabime”, shtoi Hamilton.

Provat zyrtare të Cmimit të Madh të Abu Dabit do të zhvillohen të shtunën në orën 14:00. Gara, të dielën në të njëjtën orë. Të dyja këto evente mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel