Britania dërgon 1300 trupa në Poloni

21/11/2014 00:00

Britania ka ndërmarrë dislokimin më të madh të trupave të armatosura dhe mjeteve të blinduara në Europën Lindore, që prej 6 vitesh, në atë që do të jetë stërvitje e përbashkët me Poloninë për t’i siguruar asaj mbrojtje për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes gjatë së premtes, ndërkohë që muajin e kaluar Polonia, një vend anëtar i NATO-s, njoftoi se po hartonte një plan afatgjatë për të spostuar prezencën e saj ushtarake në kufijtë lindorë të saj, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në fillim të këtij viti.

Britania njoftoi se rreth 1300 ushtarë të saj do të marrin pjesë në stërvitjet tokësore bilaterale, në pjesën Jugperëndimore të Polonisë, së bashku me një brigadë kalorësie dhe një batalion tankesh.

“Stërvitja ka si synim zhvillimin e ndërveprimeve mes forcave të armatosura të të dy vendeve dhe është një demonstrim kyç i mbështetjes së Britanisë së Madhe për të ofruar masat e sigurisë nga NATO në rajon”, bëri të ditur Ministria përmes një deklarate. Ndërkohë që dislokime të tjera priten të ndodhin gjatë 2 viteve të ardhshme.

Në samitin e Uellsit, në shtator, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ra dakord për krijimin e një force të re reaguese urgjente dhe të përshkallëzonte stërvitjet në Europën Lindore në përgjigje të veprimeve të Rusisë.

Britania ka dërguar tashmë 6 avionë luftarakë “Typhoon” të Forcave Ajrore Mbretërore, për të zhvilluar patrullime mbi hapësirën ajrore të shteteve të Baltikut, si pjesë e përpjekjeve për t’u siguruar mbrojtje aleatëve të NATO-s.

Të enjten, shefi i aleancës tha se avionët e NATO-s janë “përplasur” 400 herë gjatë këtij viti me avionë luftarakë rusë mbi hapësirën ajrore të Europës, një aktivitet që nuk është parë kurrë që prej Luftës së Ftohtë.

Top Channel