Britani, UKIP fiton mandatin e dytë në parlament

21/11/2014 00:00

Partia ekstremiste në Mbretërinë e Bashkuar, UKIP ka siguruar mandatin e dytë në Parlamentin britanik.

Kandidati i saj, Mark Reckless fitoi në zgjedhjet e pjesshme të mbajtura në Roçester dhe Strud me rreth 3 mijë vota avantazh ndaj rivalit konservator.

Partia e Gjelbër doli e katërta, ndërsa Liberal Demokratët morën kuotën më të ulët të regjistruar ndonjëherë.

Reckless, kalimi i të cilit nga radhët e konservatorëve tek UKIP shkaktoi polemika, në një fjalim të mbajtur para elektoratit tha:

“Nëse UKIP mund të fitojë këtu, ne mund të fitojmë në të gjithë vendin. Ju jeni eprorët e mi. Bëni që unë të mos e harroj këtë”.

Ndërkohë, kryetari i Partisë së Konservatorëve, Grant Shapps deklaroi se ishte i zhgënjyer nga rezultati, por shtoi se në zgjedhjet e pjesshme rrethanat janë ndryshe nga ato në zgjedhjet e përgjithshme. “Ne do të luftojmë çdo ditë që ta marrim sërish këtë ulëse”, tha ai.

Ndërsa lideri i konservatorëve në Dhomën e Përfaqësuesve, William Hague tha se, nëse partia e Nigel Farage vazhdon të marrë vota nga konservatorët, atëherë ekziston rreziku që Ed Miliband të mbetet jashtë derës së Downing Street.

Lideri i UKIP, Nigel Farage mohoi supozimet se rezultati ishte një shenjë proteste ndaj qeverisë, apo se votuesit do t’u kthehen partive të mëdha në zgjedhjet e përgjithshme. “Mesazhi këtu ishte, nëse votoni UKIP, UKIP fiton”, tha ai.

Top Channel