BE, ligj të ri “frenues” për qeset plastike

21/11/2014 00:00

Ligjvënësit e Bashkimit Europian kanë miratuar unanimisht një ligj të ri këtë të premte, për të ulur përdorimin e qeseve plastike, me shpresën që të frenojnë ndotjen e tokës dhe krijimin e një “shtrese plastike” mbi oqeanet e botës.

Masa, e cila është hartuar së bashku me Parlamentin Europian, është kritikuar nga ekzekutivi i ri i BE-së, sipas të cilëve shtetet mund të hasin probleme në implementimin e një ligji të tillë, i cili propozon përdorimin e çmimeve të lira ose metoda të tjera, për të ulur me 80 përqind numrin e qeseve plastike në një periudhë dhjetëvjeçare.

Megjithatë, miratimi u lavdërua nga trupa e tregtisë për industrinë e plastikës, pasi ligji favorizon dhënien fund të ofrimit falas të këtyre qeseve nga supermarketet, gjë që tashmë është aplikuar në disa prej vendeve. Por, sipas tregtarëve, një mozaik rregullash kombëtare mund të jenë pengesë në tregtinë e BE-së.

Të dërguarit e shteteve anëtare kanë miratuar një plan për t’i dhënë qeverive një zgjidhje mes, ndalimit të dhënies falas të qeseve plastike, ose vendosjen e objektivave të detyrueshme për të ulur konsumin mesatar vjetor të qeseve plastike në më pak se 90 copë për person, deri në fund të vitit 2019, dhe në 40 qese për person në dhjetor të 2025-s.

Zëvendëspresidenti i parë i Komisionit, Frans Timmermans, tha se ekzekutivi mbështet përpjekjet për të frenuar përdorimin e qeseve plastike, por paralajmëroi qeveritë se duhet ta implementojnë me forcë ligjin e ri. Nëse shtetet nuk e përmbushin këtë detyrim, Komisioni do ta dërgojë secilin prej tyre në gjykatën më të lartë të bllokut europian, për t’iu vendosur gjoba.

Mesatarja në BE e përdorimit të qeseve plastike për individ ka qenë 176 në vitin 2010, shumë pak prej të cilave janë ricikluar. Një mesatare e cila është e përafërt me atë të vendeve të pasura, përfshi SHBA-të, ku janë ndërmarrë tashmë nisma lokale për të ulur këtë shifër.

Ndërkohë, janë disa vende që nuk do të duhet të marrim masa, pasi për shembull Danimarka e ka mesataren e përdorimit të 4 qeseve plastike për person në vit, ndërsa Polonia dhe Portugalia përdorin rreth 100 qese për individ, sipas të dhënave të BE-së.

Top Channel