Pasojat dhe përllogaritja e dëmeve nga përmbytjet

20/11/2014 00:00

Zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj ishte i ftuar në Revistën Televizive të Mbrëmjes për të folur në lidhje me situatën më të fundit nga përmbytjet e ditës së martë, për bilancin e dëmeve të shkaktuara, si edhe për kompensimin e banorëve të prekur.

Pandi Gjata: Nga informacionet më të fundit që keni, si paraqitet situata pas përmbytjeve të së martës?

Ilir Mustafaraj: Nga informacionet e fundit të marra nga strukturat operuese në Qarkun e Lezhës në tërësi dhe në qytetin e Lezhës veçanërisht, rezulton se gjendja po shkon drejt normalizimit. Aktualisht janë në punë automjetet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të mbajtur nënkontroll nivelin e ujit në nënstacionin elektrik, por njëkohësisht bëjnë edhe heqjen e ujit nga disa banesa dhe ambiente të tjera sociale. Problemi kryesor ishte funksioni i nënstacionit elektrik, i cili furnizon të gjitha rrjetet e kullimit. Për shkak se edhe qyteti i Lezhës, por edhe nënstacioni është në kuota të ulëta shpesh përmbytet, aq më tepër nga reshjet e ditës së martë, të cilat ishin me një intensitet të lartë në një kohë të shkurtër.

Pandi Gjata: Aktualisht a kemi një bilanc të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, kryesisht në Qarkun e Lezhës?

Ilir Mustafaraj: Në situata emergjencash funksionon një sistem i tërë organizmash dhe masash, që nga komisionet e vlerësimit të dëmit, të cilat janë pjesë përbërëse e çdo njësie të qeverisjes vendore, si edhe Shtabit të Emergjencave të qarkut. Bilanci përfundimtar i dëmeve të shkaktuara do t’i nënshtrohet një verifikimi në terren, për të cilin ju siguroj që do të jetë i saktë.

Pandi Gjata: A do të jetë i shpejt kompensimi?

Ilir Mustafaraj: Sipas ligjit të emergjencave parashikohet edhe një fond për raste të tilla, të cilin duhet ta realizojnë njësitë e qeverisjes vendore, ndërsa pjesa tjetër mbetet për t’u kompensuar nga strukturat përkatëse. E rëndësishme është të bëhet përcaktimi i saktë i dëmit të shkaktuar.

Pandi Gjata:  Pas përmbytjes së të martës dhe parashikimeve më të fundit, dimri do të jetë i vështir. Si e parashikoni situatën problematike, në Lezhë në mënyrë të veçantë dhe cilat do të jenë masat e emergjencave?

Ilir Mustafaraj: Lajmi i mirë është që në ditët e ardhshme do të kemi një përmirësim të kushteve të motit, por kjo nuk do të thotë që dimri do të jetë me mot të mirë. Ne jemi përgatitur në një plan shumë të gjerë. Kemi një plan masash të gatshëm për t’u miratuar nga qeveria. Situata aktuale është e trashëguar ndër vite dhe ne i dimë dobësitë dhe jemi të përgatitur. Për shkak edhe të përvojës së fituar edhe nga ngjarja e fundit do të jemi të aftë t’i përballojmë të gjitha llojet e emergjencave që do të na krijohen gjatë dimrit.

Top Channel