Mëngjesi i së mërkurës do të niste me fillimin e verifikimit të bilanceve të shkaktuara nga reshjet e shiut të së martës.

Tre viktima u shënuan nga përmbytjet, Gjon Kola, 67 vjeç dhe vajza e tij, Dorentina Kola, 29 vjeç u rrëmbyen nga ujërat e përroit ne Laç. Ndërkohë në fshatin Gallatë të Kurbinit, dy të rinj, një 15 vjeçar dhe shoku i tij 21 vjecar Liman Balloku, po udhëtonin me një motor kur janë rrëmbyer nga ujërat në rrugë. 15 vjeçari mundi të shpëtojë edhe me ndihmën e banoreve, ndërsa 21 vjeçari u gjet i vdekur pas një ore nga ana e policisë.

Nga vëzhgimi në terren u pa se kishte banesa të shumta nën ujë në komunën Balldren dhe konkretisht në Kakarriq rreth 20 banesa në ujë, në Kolsh rreth 50, ndërsa gjithashtu mësohet se 12 familje, kryesisht nga zona e Mirditës, janë evakuar. Disa shkolla nuk i hapen dyert për nxënësit pasi në brendësi të tyre kishte prani të ujit.

“Duqani ishte përmbytur i tëri. Uji kishte arritur në 50 centimetra. Nga ora 03:00 e natës deri në 12:00 të drekës  rruga ishte e përmbytur.”, u shpreh një banor.

“Dy përrenj kanë dalë nga shtrati dhe janë bashkuar së bashku duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Para pallatit niveli i ujit kishte arritur deri në 50 centimetra. Në katet e para uji arriti brenda në shumë banesa”, u shpreh një tjetër banor.  

Në 10:30 në prefekturë u zhvillua mbledhja e Shtabit të emergjencave, ku morën pjesë ministrat Tahiri dhe Kodheli.

“Është ende herët për konkluzione në lidhje me sipërfaqet e përmbytura, ndonëse nuk bëhet fjalë për shumë. Tani për tani është e rëndësishme ngritja dhe mbajtja në emergjencë të plotë të strukturës që shmang pasojat e rënda në jetë dhe në shëndetin e qytetarëve”, u shpreh ministri Tahiri.

“Kemi qenë prezent këtu që nga mbrëmja e djeshme me më shumë se 80 trupa, 10 mijë thasë rëre dhe makina, për të mundësuar mbështetje të qytetarëve”, tha ministrja Kodheli.

Në fund të takimit Tahiri do të shprehej për mediat se situata është problematike, por nën kontroll. Ministria Kodheli pasi tha se në Lezhë janë rreth 100 forca ushtrie, si dhe mjaft mjete të ushtrisë theksoi dhe ftoi qytetarët të bëhen pjesë e ndihmës për të pastruar zonat, ku është e mundur.

Nga burime zyrtare nga Bordi i Kullimit mësohet se të gjithë hidrovorët e qarkut janë në punë teksa niveli i ujrave gjatë ditës ka qenë kritik.

Pasditja i rifriksoi lezhjanet pasi reshjet rifilluan me intensitet, por vetëm për pak orë. Problemi kryesor vazhdon të mbetet nënstacioni edhe pas një kontakti në orët e pasdites me Prefektin  e Lezhës, Ndrec Dedaj, ky i fundit ka konfirmuar se gjate ditës së enjte do të merren masa dhe një prej tyre mendohet edhe një turbinë për të ndaluar rrjedhjen e ujrave nga zona kodrinore e e lagjes “Nënë Tereza” nga nënstacioni në një tjetër drejtim.

Banesa nën ujë janë raportuar edhe në komunat Shëngjin dhe Zejmen. Por ende asnjë institucion nuk jep një version zyrtar dhe përfundimtar të bilancit të dëmeve të krijuara nga përmbytjet.

Situata do të shfrytëzohej edhe për sulme politike. Në Lezhë do të vinte edhe deputeti i PD, Aldo Bumçi, i cili fajësoi qeverinë që jep fonde marramendëse për projekte që nuk janë imediate pa filluar njëherë me masat e duhura njëra prej të cilave në nënstacion.

Top Channel