Stuhi dëbore në SHBA, 5 viktima në Bufalo

19/11/2014 00:00

Të paktën pesë persona kanë vdekur në Bufalo të Shteteve të Bashkuara, për shkak të stuhisë së dëborës që përfshiu mëngjesin e djeshëm qytetin.

Shumë zona në jug të qytetit, në shtetin e Nju Jorkut, që ndodhen pranë ujëvarave të Niagarës, janë mbuluar thuajse nga 2 metra dëborë në më pak se 24 orë.

Sipas mediave amerikane, tre persona humbën jetën nga atake kardiake teksa pastronin dëborën, një tjetër pas një aksidenti rrugor, ndërsa i pesti është gjetur i vdekur në automjetin e tij të mbuluar komplet nga dëbora.

Rreth 50 për qind e Shteteve të Bashkuara është mbuluar tashmë nga shtresa e bardhë, ndërkohë që një valë tjetër i ftohti pritet në orët e ardhshme në Miduest dhe në veri-lindje të vendit, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Kombëtar.

Në disa zona trashësia e dëborës ka kaluar brenda pak orësh nivelin prej 1 metër e gjysmë, ndërsa temperatura gjatë natës ka qenë minus 7 gradë.

Temperatura të ulëta janë regjistruar edhe në Florida, ku ka arritur në -6 gradë, si dhe në Hauai, ku në Mauna Kea dhe në Ishullin e Madh kanë arritur në 0 gradë.

Meteorologët kanë paralajmëruar se vala e ajrit të ftohtë do të vazhdojë deri ditën e enjte, të paktën në Miduest dhe në veri-lindje, ndërkohë që në jug temperaturat do të jenë të qëndrueshme.

Top Channel