“Ndeshjen e fituan tifozët”

19/11/2014 00:00

Ndeshja miqësore Itali-Shqipëri u konsiderua nga shtypi italian si një dëshmi qytetërimi nga ana e tifozëve shqiptarë.

Takimi u zhvillua në një atmosferë feste dhe solidariteti; të ardhurat nga biletat dhe nga të drejtat televizive do të shërbejnë për rimëkëmbjen e impianteve sportive të qytetit të Xhenovës, të dëmtuara rëndë nga përmbytjet e kësaj vjeshte plot reshje.

Shtypi i specializuar vlerëson nga ana teknike skuadrën e stërvitur nga De Biasi, duke e cilësuar si një kundërshtare të fortë dhe të ashpër. Jo rastësisht, – komentojnë specialistët italianë, – shqiponjat kuqezi janë me meritë nga garën për kualifikimin në kampionatin europian “Francë 2016”.

Por, një hapësirë jo e zakontë i kushtohet tifozëve dhe atmosferës së krijuar në stadiumin “Luigi Ferraris”.

“Itali-Shqipëri ishte festë e tifozëve; fituan ata shqiptarë”, shkruajnë disa nga gazetat sportive online, ku vihet në dukje mungesa e mbështetësve të kombëtares së “të kaltërve”.

Gara e solidaritetit u fitua nga shqiptarët, të cilët iu përgjigjën masivisht thirrjes për ndihmë, lexohet në disa kryetituj. Nga rreth 26 mijë tifozët e pranishëm në stadium, llogaritet që 16 mijë kanë qenë shqiptarë. Tifozë që, siç shkruan “Gazzetta dello Sport”, dëshmuan qytetarinë e tyre.

Kori i tifozëve kuqezi, pasi këndoi himnin shqiptar, nuk la pa kënduar edhe atë italian, duke u bashkuar me një zë me tifozët dhe skuadrën vendase. U luajt për Xhenovën e për të ndihmuar, shqiptarët qenë të pranishëm plot entuziazëm.

Top Channel