McLaren shtyn në dhjetor zyrtarizimin e Alonsos

19/11/2014 00:00

Alonso e ka të sigurt largimin nga Ferrari, por nëse është po kaq e sigurt edhe kalimi i tij te McLaren, kjo nuk dihet ende, madje për këtë ka menduar edhe vet skuderia britanike.

Nëpërmjet faqes zyrtare të tyre në Twitter, McLaren shtyn për në muajin e ardhshëm shpalljen e Fernando Alonsos. “Djema, e dimë që mezi prisni të mësoni se cilët do të jenë pilotët tanë për vitin e ardhshëm. Por, këtë do ta publikojmë këtu pas 1 dhjetorit”.

Edhe pse duket se piloti spanjoll ka firmosur tashmë një kontratë me skuderinë britanike, ende mbetet për t’u përcaktuar se cili do të jetë shoku i tij i skuadrës: Button apo Magnussen.

“Tashmë le të fokusohemi në Abu Dhabi”, përfundon mesazhi i publikuar nga McLaren, që duket se nuk dëshiron të shpërqëndrojë pilotët aktualë përpara garës së fundit të këtij botërori, ku skuderia nga “Woking” do të tentojë të parakalojë Ferrarin në vendin e katërt të renditjes për konstruktorë.

Deri më tani asnjë zyrtarizim, vetëm hipoteza, por e sigurt është se njëvëndëshja e testimeve që ka montuar motorin e ri Honda (McLaren MP4-29H/1X1) do të mund të shihet në testimet e 25-26 nëntorit.

Top Channel