Ëndrrat e lëna përgjysmë të Deni Dukës

19/11/2014 00:00

Deni Duka e donte shumë jetën. I pëlqente të argëtohej, të udhëtonte, të ishte i rrethuar nga prindërit dhe nga e fejuara, me të cilën nuk ndahej për as edhe një sekondë.

Pasioni i tij ishte futbolli, studionte për juridik dhe për të ardhmen kishte plane të mëdha. Deni rrezatonte mirësi gjithkund dhe me gjithkënd. Dashurinë për të tjerët e kishte gjënë më të shtrenjtë, por ajo për mami Verën, babi Bilbilin dhe Klaudian nuk njihte kufinj.

Edhe pse në një moshë të re, vetëm 20 vjeç, Deni dhe Klaudia kurorëzuan lidhjen e tyre.

Jeta e familjes Duka ishte e mbushur plot lumturi, deri mbrëmjen e 19 prillit 2013, kur një aksident automobilistik i mori përgjithmonë jetën Denit.

Prej afro dy vitesh, boshllëku që ai ka lënë tek të gjithë ata që e njohën dhe që e deshën është i madh dhe i papërshkrueshëm. Tashmë, forcën për të vazhduar jetën ata e gjejnë tek kujtimet, pozitiviteti dhe buzëqeshja që Deni la pas…
 
“Më ka ndihmuar mënyra e të logjikuarit. I thashë vetes të mundohem të respektoja njerëzit, ashtu siç do donte Deni. Gjithashtu, kam marrë qetësues për 6 muaj. Pas kësaj dhimbjeje të jashtëzakonshme, mendoja se çfarë të bëja për të fituar pak shpresë. I thashë burrit që doja të birësoja një vajzë, përndryshe nuk do jetoja dot”, tregon Vera Laçi në studion e ‘Pasdite në Top Channel.”

Zonja shpjegon edhe pse zgjodhi të birësonte Dean, e cila ende nuk ka mbushur 1 vjeç: “Djalin e kam pasur dhe gjithmonë do e kem në zemër, ndërsa vajzë nuk kam pasur.”

Top Channel