NATO: Prani shqetësuese ushtarake në Ukrainë

18/11/2014 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, denoncoi këtë të martë atë që ai e quajti një prani serioze ushtarake të forcave ruse, si brenda Ukrainës, ashtu edhe në krahun rus të kufirit, duke nxitur Moskën të tërheqë mbrapsht trupat e saj.

Stoltenberg tha se NATO ka parë lëvizshmëri të trupave, pajisjeve, tankeve dhe artilerisë së rëndë, por edhe të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore, në shkelje të plotë të marrëveshjes së armëpushimit.

Rusia mohon të ketë dërguar armë apo trupa në mbështetje të separatistëve prorusë në lindje të Ukrainës, që prej nisjes së rebelimit me rrëzimin e Presidentit ukrainas të mbështetur nga Kremlini përmes protestave masive në shkurt. Një armëpushim u arrit më 5 shtator, por luftimet kanë ardhur gjithnjë e në rritje ditëve të fundit.

Stoltenberg u tha reporterëve se, teksa kishte mbërritur për një takim me ministrat e Mbrojtjes së BE-së, kishte marrë informacione për një prani masive të trupave brenda Ukrainës.

“Ne kemi parë gjithashtu një prani ushtarake edhe në anën ruse të kufirit. Gjë që është serioze, ndaj dhe i bëjmë thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj”, tha ai.

Rusia ka mohuar akuza të ngjashme edhe javën e kaluar, të bëra nga komandanti më i lartë i NATO-s, njëkohësisht edhe Gjeneral i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Philip Breedlove, i cili bëri të ditur se NATO kishte pikasur dërgesa pajisjesh ushtarake që vinin nga Rusia drejt rajoneve të lindjes së Ukrainës, të cilat kontrollohen prej rebelëve separatistë.

Gjeneral-Major Igor Konashenkov, një zyrtar i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, hodhi poshtë komentet e Breedlove gjatë javës së kaluar, duke i quajtur ato si “nxitje tensioni antirus”.

Top Channel