Modric, 3 muaj larg si pasojë e tërheqjes

18/11/2014 00:00

Luka Modric do të qëndrojë jashtë fushave të blerta për një kohë më të gjatë nga sa ishte parashikuar, teksa Federata kroate e Futbollit (HNS) ka njoftuar se mesfushori pritet të kërkojë 3 muaj kohë për rikuperimin nga një tërheqje muskulare.

29-vjeçari e pësoi këtë problem gjatë pjesës së parë të ndeshjes mes Kroacisë dhe Italisë në kualifikueset e Euro 2016.

Lajmi, përveç se një goditje për kombëtaren kroate, vjen si një tronditje edhe për Real Madridin, që njoftoi se ish-lojtari i Dinamo Zagrebit dhe Tottenham Hotspur ka pësuar “tërheqje të tendinës kryesore përpara femurit” gjatë së hënës, edhe pse nuk përcaktuan një afat kohor për rikthimin e tij.

Gjithsesi, HNS konfirmoi se ai do të mund të rikthehet të luajë më së paku pas Vitit të Ri.

“Mesfushori i Kroacisë dhe Real Madridit do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën 3 muaj, pas dëmtimit të pësuar në përballjen me Italinë”, lexohej në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Federatës kroate.

“Modric, në minutën e 28 të takimit të luajtur në San Siro, na kërkoi të zëvendësohej, pasi ndiente probleme me muskujt e përparmë të kofshës së majtë. Ndërsa skanimet në Madrid treguan se ai ishte një dëmtim më serioz nga sa mendohej”.

Top Channel