Aksioni i OSHEE zhvendoset në autostradë

18/11/2014 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj inspektoi të martën operacionin e OSHEE-së kundër vjedhjes së energjisë elektrike përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ku shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë për këtë aksion.

“Nga raportimi i sotëm në terren, buzë autostradës Tiranë-Durrës gjendet një subjekt i cili ka një borxh prej 27 milionë lekësh. Ky debitor nuk është as me ndihmë ekonomike, as pensionist dhe as person me aftësi të kufizuara, por një nga bizneset më të mëdha në vendin tonë. Kjo është e pafalshme. 98% e pensionistëve dhe 93% e personave me aftësi të kufizuara, të cilët janë njerëzit më të këputur dhe të vuajtur të vendit, paguajnë energjinë elektrike”, deklaroi Veliaj.

Në fund Veliaj komentoi dhe protestën e thirrur nga opozita. Sipas tij, pasi e le vendin të shkretuar, me borxhe të energjisë elektrike, me borxhe për personat me aftësi të kufizuara dhe pensionet, të thërrasësh njerëzit në protesë kundër pagesës së energjisë elektrike është fyerje e inteligjencës së shqiptarëve.

Top Channel