Ronaldo-Messi, “show” në miqësoren e “Old Trafford”

17/11/2014 00:00

Cristiano Ronaldo do të përpiqet të “lërë në hije” Lionel Messin, kur të rikthehet në “Old Trafford” të martën, teksa dy lojtarët më të mirë të botës do të përplasen me njëri-tjetrin në miqësoren mes Portugalisë dhe Argjentinës.

Sulmuesi i Real Madridit, Ronaldo, dhe ai i Barcelonës, Messi, janë përfshirë në një “luftë” për të provuar se cili prej tyre është më i miri në planet, teksa ndeshja e fundit do të zhvillohet në një fushë tepër të njohur prej yllit të Portugalisë.

Dyshja në fjalë janë bërë “koleksionues serialë” të trofeve gjatë viteve të fundit, teksa çmimet personale dhe ato ekipore janë siguruar thuajse rregullisht vit pas viti.

Messi ka fituar 3 herë Champions Leaguen, ndërsa Ronaldo vetëm 2 herë, ndërkohë që Messi ka 6 tituj kampion në La Liga, e vetëm gjysmën e tij (3) numëron portugezi, 2 prej të cilave me Manchester United në Premier League dhe 1 me Realin në Spanjë.

Të dy bashkë, ata kanë ndarë 6 trofetë e fundit të “Topit të Artë”, çmim që i jepet lojtarit më të votuar në botë nga trajnerët, lojtarët dhe gazetarët sportivë. Ylli argjentinas, Messi, është shpallur fitues 4 herë gjatë dekadës së fundit, ndërsa Ronaldo shpreson të fitojë të tretin këtë vit.

Sa i përket sezonit aktual, Ronaldo ka shënuar 18 gola ndërsa Messi ka një total më modest, prej vetëm 7 të tillë, edhe pse u votua si lojtari më i mirë i Botërorit të Brazilit. Ronaldo u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kualifikueset për një kampionat europian, apo qoftë edhe finalet e një Europiani, pasi i dha fitoren 1-0 Portugalisë ndaj Armenisë, fundjavën e kaluar.

Ai ishte goli i 23-të i tij në të tilla kompeticione, duke kaluar rekordin e vendosur më parë nga John Dahl Tomasson i Danimarkës. Ndërsa me fanelën e Portugalisë, ky ishte goli i 57 i tij në 117 ndeshje të luajtura.

Top Channel