Danieli dhe Romela, pesha e kampionëve të botës

17/11/2014 00:00

Daniel Godelli është kampion bote! Në kampionatin botëror të Peshëngritjes, të zhvilluar në Kazakistan, sportisti shqiptar zuri vendin e parë duke marrë medalje ari, në dygarësh dhe në stilin e shkëputjes.

22-vjeçari nga Peqini ngriti fillimisht 171 kg (në shkëputje) për të artën e parë dhe më pas siguroi medaljen e argjendtë (në shtytje) me 198 kg, duke marrë medalje ari edhe në dygarësh, për të lënë pas kinezin Zhong dhe koreanin Jon Vi Choe.

Pa asnjë diskutim, ky është rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga një peshëngritës shqiptar, në një garë të këtyre përmasave.

Rezultat shumë i mirë ishte dhe për Romela Begajn, e cila fitoi gjithashtu medalje ari në stilin e shkëputjes, me 113 kg, pavarësisht se u rëndit e shtata në dygarësh.

Mbrëmjen e së premtes, dy kampionët e botës kanë mbërritur në Shqipëri duke u pritur me shumë entuziazëm nga dashamirësit.

Në VKM-në e 29 tetorit 2011 thuhet se “nuk shpërblehen sportistët që fitojnë medalje në stilitin e shtytjes ose shkëputjes, por vetëm në dygarësh, nga vendi i parë deri në vendin e pestë”.

Danieli e përfiton plotësisht shpërblimin e dhënë nga shteti shqiptar, por Romela triumfoi në Kazakistan, në peshën 63 kilogram, vetëm në stilin e shkëputjes, ndërsa dështoi në shtytje (e nënta), e duke dalë në vend të shtatë në dygarësh.

Mbetet për t’u parë nëse VKM-ja do të jetë ende e vlefshme, nisur nga fakti që tashmë Shqipëria ka dy kampionë botërorë…

Deri më tani, vendi ynë shkon në Olimpiadën “Rio 2016” me 6 sportistë, 5 vajza dhe një djalë, numër që mund të shtohet në kampionatin europian, nëse performanca e sportistëve do të jetë e suksesshme.

Top Channel