Plagoset xhihadisti që vrau britanikët

16/11/2014 00:00

Xhihadisti John, britaniku që preu kokat e pengjeve amerikane dhe britanike kohë më parë, raportohet se është plagosur gjatë sulmeve ajrore amerikane, sipas njoftimeve që ka marrë Ministria e Jashtme britanike “Foreign Office”.

Ekzekutuesi i maskuar mendohet se i ka shpëtuar vdekjes, por është plagosur rëndë, kur një mbledhje e liderve të Shtetit Islamik në një bunker është goditur nga sulmet ajrore amerikane.

Zëdhënësi i “Foreign Office”-it theksoi se “kemi një numër burimesh që mbërrijnë në Londër.

Në sulmin e përpara një jave u vranë 10 udhëheqës të Shtetit Islamik dhe u plagosën 40 të tjerë, mes tyre edhe udhëheqësi i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi. Sipas një burimi, një infermjere ka trajtuar të plagosurin, i cili ishte regjistruar me emrin luftarak të tij, Xhalam al-Britani, njeriu që vriste gazetarët.

Nuk dihet se sa rëndë është plagosur fanatiku britanik, i ccli është shndërruar në një nga terroristët më të kërkuar në botë pas vrasjes së pengjeve britanike dhe amerikane. Xhihadisti John, i moshës 28 deri 31-vjeçare, flet anglisht rrjedhshëm dhe me theks londinez, si dhe po aq rrjedhshëm flet edhe arabishten.

Ai u bashkua me Shtetin Islamik  fillimisht në Irak, kur u largua nga Britania dhe më pas u shpërngul në Siri. Sipas shtypit britanik, xhihadisti John udhëton me një fuoristradë “Audi” ngjyrë të zezë, i shoqëruar nga gjashtë terroristë të tjerë britanikë, që veprojnë si truproja të tij.

Janë të shumtë shtetasit britanikë, që kanë shkuar të luftojnë për ISIS-in, ndërkohë që qeveria e kryeministrit Cameron pritet të miratojë në fund të muajit ligje të reja, që pamundësojnë rikthimin në ishull të britanikëve, që kanë shkuar të luftojnë në Siri apo Irak.

Top Channel