Mianmar, Suu Kyi pret Obamën

14/11/2014 00:00

Liderja e opozitës në Mianmar, Aung San Suu Kyi ka deklaruar se rregullat kushtetuese që e ndalojnë atë të kandidojë për presidente për shkak se fëmijët e saj janë gjysmë britanikë nuk janë aspak të drejta dhe demokratike.

Në një konferencë shtypi me presidentin amerikan Barack Obama në Jangon, ajo tha se procesi i reformave në ish-vendin me regjim ushtarak ka arritur në një rrugë pa krye.

Megjithatë, liderja e rezistencës paqësore vlerësoi se gjërat mund të futen në rrugën e duhur me ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

“Procesi i reformave po shkon në një rrugë pa krye, por kjo pengesë mund të kalohet nëse ne angazhohemi seriozisht, me ndihmën dhe mirëkuptimin e miqve tanë në mbarë botën”, deklaroi ajo.

Nga ana e tij, presidenti Obama deklaroi se “reformat duhet të jenë pa asnjë keqkuptim të plota dhe të pakthyeshme”.

Mianmari, i njohur ndryshe si Birmani, lëvizi nga regjimi ushtarak në atë civil në vitin 2010 dhe aktualisht qeveriset nga një administratë civile e mbështetur nga ushtria. Nën drejtimin e Thein Sein, shumë të burgosur politikë janë liruar dhe shumë çensura në media janë lehtësuar.

Partia pro-demokracisë e Aung San Suu Kyi, e cila kaloi vite të tëra në arrest shtëpie, i është bashkuar jetës politike dhe kontrollon një bllok të vogël ulësesh në Parlament.

Por kritikët kanë paralajmëruar se reformat kanë ngecur në muajt e fundit, pasi sytë janë kthyer në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015.

Top Channel