Irak, ushtria merr kontrollin e Baiji-t

14/11/2014 00:00

Ushtria irakiane ka rimarrë kontrollin e qytetit Baiji, e konsideruar një pikë strategjike në konfliktin me ISIS në rajonet veriore të vendit.

Qyteti ndodhet në afërsi të rafinerisë më të madhe të naftës së vendit dhe shtrihet në rrugën kryesore që lidh Mosulin dhe Tikritin, që të dy të kontrolluar nga ISIS.

Marrja e kontrollit në këtë pjesë të Irakut pas më shumë se dy javësh luftime të ashpra me xhihadistët, konsiderohet si përparimi më i madh i forcave të sigurisë qeveritare.

Baiji është qyteti më i madh i rimarrë nën kontroll nga autoritetet irakiane. Lajmi i marrjes së qytetit u njoftua nga autoritetet vendore dhe nga zyrtarë të qeverisë qendrore në Bagdad, që shtojnë se ushtria po zhvendoset ngadalë drejt rafinerisë së naftës.

Marrja e Baiji-t dobëson të ardhurat financiare të ekstremistëve që shfrytëzuan rafinerinë e qytetit për të siguruar të ardhura nga shitja e naftës. Por jo vetëm kaq, humbja e qytetit nga ISIS ka lënë të izoluar militantët që kontrollojnë Tikritin e rrethuar nga forcat ushtarake dhe milicitë pro-qeveritare.

Top Channel