Britani, masa të reja kundër terrorizmit

14/11/2014 00:00

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka bërë të ditur se xhihadistët britanikë që luftojnë jashtë vendit, nuk do të lejohen të kthehen në Britani në bazë disa masave të veçanta.

Këto masa janë në qendër të një projekt-ligji të planifikuar kundër terrorizmit, i cili do të publikohet këtë muaj.

Ekspertët kanë vënë në pikëpyetje masat, të cilat vihen në diskutim nëse janë të ligjshme ose jo, ndërsa laburistët thanë se duhet bërë më shumë për të ndaluar radikalizimin. Plani për të krijuar disa masa të përkohshme parandalimi erdhi pas bisedimeve të koalicionit, pas shpalljes së propozimeve të reja kundër terrorizmit nga David Cameron.

Sipas kompetencave të veçanta, qytetarët britanikë, të cilët dyshohen se kanë luftuar përkrah militantëve të ISIS, do të ndalohen të hyjnë në vend. Çdo të dyshuari do t’i pezullohet pasaporta dhe emri do t’i shtohet në “listën e ndalimit të fluturimit”, kjo do t’i ndalojë ata të kthehen në Britani.

Zyrtarë qeveritarë kanë thënë për BBC se kompetencat janë hartuar për të ndaluar të dyshuarit të rikthehen në Britani. “Ne nuk po synojmë heqjen e shtetësisë, por po vendosim kushte për udhëtimet e tyre. Kjo do të ndikojë së tepërmi në udhëtimin e shtetasve britanikë drejt vendeve në konflikt në Lindjen e Mesme. Këto plane janë pjesë e projekt-ligjit kundër terrorizmit”.

Top Channel