Befason Shqipëria, 1-1 me Francën në transfertë  

14/11/2014 00:00

Përfaqësuesja shqiptare bën një paraqitje shumë të mirë në Rennes të Francës, ku ka barazuar 1-1 në një ndeshje miqësore ndaj skuadrës organizatore të “Euro 2016″, Francës.

Edhe pse në të njëjtin grup me ne, skuadra e Didier Deschamps do të zhvillojë këto ndeshje që luan në grupin tonë si miqësore, ku pikët dhe golat nuk përllogariten. Pavarësisht kësaj, kuqezinjtë nuk e kanë konsideruar aspak si të tillë.

De Biasi ka hedhur në fushë një skuadër, e cila në 90 përqind  të saj është skuadra jonë bazë e këtyre eliminatoreve, gjithsesi lojtarët francezë janë të një niveli krejtësisht të ndryshëm. Megjithatë fusha e blertë nuk tregon thuajse asnjë diferencë. Ne, jo vetëm që qarkullojmë topin lirshëm, por edhe tentojmë të vëmë në vështirësi mbrojtjen franceze.

Goli i Mavrajt erdhi pas tentativave të shumta të ngjashme, por që u finalizua në momentin tonë më të mirë.

Kaq na mjaftoi për të na dhënë qetësinë veç sigurisë. Në pjesën e dytë, Deschamps lëviz me disa zëvendësime për të ndryshuar rezultatin dhe futja e Griezmann, për ne rezultoi fatale. Lojtari i Atletikos së Madridit tregon aftësinë e tij në minutën e 73-të, kur shënon golin e barazimit.

Kalimi i minutave sjell një rënie të ritmit tonë, por ndërhyrjet e De Biasit me Ajetin, Shalën, Vilën, Bulkun dhe Balën deri në fund, rikuperuan lodhjen e Kukelit, Abrashit, Lenjanit, Cikalleshit dhe Vilës.

Me këtë barazim, përfaqësuesja jonë konsolidohet edhe më tepër si një nga skuadrat e rrezikshme të grupit dhe ndoshta mes pretendenteve për 3 vendet e para.

Miqësorja e radhës për Shqipërinë do të jetë një tjetër ndeshje luksi, ajo me 4 herë kampionët e botës, Italisë më 18 nëntor, një ndeshje e cila do të transmetohet drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në Supersport.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel