Heroizmi i një djaloshi për të shpëtuar të motrën

13/11/2014 00:00

Mizoritë e luftës civile në Siri në katër vitet nuk kanë të sosur. Por më e fundit është një video amatore e postuar në Youtube që tregon heroizmin e një djali të vogël përballë të shtënave të një snajperi për të shpëtuar motrën e tij.

Nuk dihet se në cilën zonë të Sirisë janë filmuar pamjet. Por në videon e postuar shihen qartë goditjet e një snajperi që mban të bllokuar nëpër godinat e rrënuara një grup personash.

I pari që merr guximin për të dalë duke vrapuar prej një banese është një burrë i cili i shpëton snajperit. Pak sekonda më vonë një fëmijë shihet në mes të rrugës i shtrirë. Ai ngrihet për të vrapuar. Në një moment dëgjohet një krismë dhe më pas djali që shtrihet në shesh.

Në pamje të parë duket sikur i riu ka vdekur. Por pak sekonda më vonë ai ngrihet sërish dhe vrapon pas një makine të djegur ku ndodhej e strehuar motra e tij. E kap atë përdore dhe duke vrapuar mes plumbave të snajperit largohen në një zonë të sigurtë.

Videoja është postuar nga rrjeti “Shaam” në Youtube.

 

Top Channel