Nxënësit në Maqedoni vazhdojnë të mësojnë me tekste shkollore me përmbajtje skandaloze. Së fundmi, një skandal është hasur në librin e Historisë, nga i cili mësojnë nxënësit e vitit të parë në shkollat e mesme.

Në përmbajtjen e këtij teksti, fiset ilire të Enkelejve dhe Dasaretëve paraqiten si fise maqedonase. Shtrembërimi i këtillë i fakteve ka ndodhur edhe përkundër faktit, që dy nga pesë autorët e tekstit janë historianë shqiptarë.

Safet Neziri, njëri nga autorët e librit, ka thënë se gabimi është bërë nga bashkautorët maqedonas. Ai sqaron se Enkeleasit dhe Dasaretët nuk janë fise maqedonase, ashtu siç janë përshkruar në libër, por janë fise ilire që kanë jetuar në territorin e Maqedonisë.

“Të dhënat që i ka shkruar kolegu im maqedonas, për pjesën që e përmendët ju, e ka përshkruar si fise maqedonase, por ta keni parasysh se bëhet fjalë për territorin e Maqedonisë dhe fiset ilire. Është me rëndësi të thuhet se edhe kolegët historianë maqedonas i llogarisin si fise ilire, por që jetojnë në territorin e Maqedonisë”, tha Safet Neziri, njëri nga autorët e librit të Historisë.

Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit paralajmërojnë se gabimet në tekstet shkollore do të përmirësohen nëpërmjet ndryshimeve ligjore, por pa precizuar se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë.

“Përmbajtja e teksteve shkollore është një nga problemet kryesore në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoni. Përpilimi i një teksti shkollor ka një procedurë të caktuar me ligj, por për momentin ligji është problemi kryesor”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.

Përveç skandalit në librin e Historisë, gabime të shumta hasen edhe në tekstet e tjera. Në një libër të Gjeografisë, nën flamurin e Kosovës shkruan “flamuri i Greqisë”. Në librin e “Edukimit qytetar”, nxënësit mësojnë se qytetarët besnikë respektojnë vetëm ata që janë në pushtet.

Autorët maqedonas të këtij teksti, në një libër më të vjetër “Kultura qytetare”, i kanë cilësuar shqiptarët si të prapambetur dhe të pakulturuar.

Në librat për lëndën e Muzikës, nxënësit shqiptarë mësojnë këngë të përkthyera nga gjuha maqedonase edhe për kompozitorë të huaj, por jo për ndonjë autor apo kompozitor shqiptar. Problemi me tekstet me përmbajtje skandaloze dhe fyese për shqiptarët u ngrit vite më parë. Megjithatë, këto tekste ende janë në duar të nxënësve, edhe përkundër premtimeve të shumta të zyrtarëve shqiptarë në qeverinë e Shkupit, se këto libra do të tërhiqen dhe se ky problem do të zgjidhet.

Top Channel