Dorëzohet Rusia: S’kemi parà për Capellon

12/11/2014 00:00

Federata ruse e Futbollit (FUR) ka pranuar se nuk mundet të përballojë pagesën prej 7 milionë paund (8 mln euro) ndaj trajnerit italian Fabio Capello.

Ish-tekniku i Anglisë nuk është paguar që prej muajit Qershor dhe vetëm pak ditë më parë, gjatë këtij muaji, kishte deklaruar se po i sosej durimi dhe kërcënoi me largim.

Italiani është në fakt trajneri më i paguar në botë sa i përket ekipeve ndërkombëtare, i cili merr thuajse dyfishin e trajnerit aktual të Anglisë, Roy Hodgson.

“Nuk kemi parà në dispozicion për të paguar pagën e Capellos”, është shprehur Sergei Stepashin, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv. “Është diçka e gabuar, por kur ata nënshkruan kontratën, duhet të kishin menduar se nga do të sigurohej financimi për pagën e tij. Sot, ne jemi duke u përpjekur të gjejmë burime financimi”.

Capello nënshkroi rinovimin e kontratës në janar të 2014-s, gjë që e mban atë të lidhur me Rusinë deri kur të zhvillohet Botërori i vitit 2018, që organizohet nga vet Rusia.

Që prej atëherë, rusët nuk mundën të fitojnë asnjë ndeshje në Botërorin e Brazilit, – duke barazuar 1-1 me Algjerinë dhe Korenë e Jugut, si dhe duke humbur 1-0 ndaj Belgjikës – ndërkohë që kualifikueset për Euro 2016 kanë nisur me një fitore 4-0 ndaj Lihtenshtejnit, por më pas vetëm barazime me Suedinë dhe Moldavinë.

Të shtunën, Rusia do të përballet me Austrinë, ndërkohë që po përgatiten për këtë ndeshje pa dy prej ndihmësve të Capellos, Christian Panucci dhe Massimo Neri, të cilët kanë refuzuar të udhëtojnë drejt Vjenës.

Duke folur për agjencinë e lajmeve ruse “Interfax”, ish-kryeministri Stepashin i bëri elozhe sugjerimeve të partisë së krahut të djathtë “Liberal Demokratët”, të cilët thonë se Capello dhe stafi i tij duhen paguar bazuar mbi performancën.

Politikani, i cili ka shërbyer nën kohën e Presidentit Boris Yeltsin, është shprehur: “Si ish-udhëheqës i Dhomës së Përfaqësuesve, besoj se trajneri duhet paguar bazuar mbi rezultatet. Kjo mënyrë do të ishte një financim më efektiv”.

Top Channel