Gjesti i Putin me Zonjën e Parë kineze shkakton polemika

11/11/2014 00:00

Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit në Pekin uli në të njëjtën tavolinë udhëheqës të vendeve më të fuqishme të globit, mes të cilëve dhe Barack Obama dhe Vladimir Putin.

Kina ka ruajtur neutralitetin në përballjen e madhe mes Uashingtonit dhe Moskës për një sërë çështjesh ndërkombëtare, që nga Siria e deri tek Ukraina. Si për të dëshmuar këtë neutralitet ishte menduar edhe pozicionimi në tryezë i organizatorëve.

Presidenti kinez, Xi Jinping ishte vendosur në krah të Obamës dhe për të mos i lënë asnjë keqkuptim homologut të tij rus, Vladimir Putin në krah i kish lënë bashkëshorten e tij. Kjo ishte ‘dhurata’ më e mirë për presidentin e divorcuar rus, i cili në një moment tregoi edhe dashamirësinë e tij kur i hodhi supeve Zonjës së Parë të Kinës shallin që kish me vete.

Megjithë qëllimin e mirë të Putin, gjesti po interpretohet gjërësisht si incident diplomatik në opinionin kinez. Gjithçka u transmetuar drejtpërdrejtë nga televizioni shtetëror kinez dhe më vonë nisi të qarkullojnë video kryesisht nëpër rrjetet sociale.

Kaq është dashur që autoritetet të ndërhyjnë duke zhdukur nga interneti dhe nga televizionet pjesën filmike që tregonte kreun e Kremlinit duke mbuluar Peng Liyan.

Interpretimet janë të ndryshme. “Shoqëria kineze është një shoqëri konservatore ku afrimiteti mes burrave beqarë dhe grave të martuara nuk shihet me sy të mirë dhe gjesti i Putin mund të mos pritet mirë nga shefi i madh (Xi Jinping)”, thotë historiani kinez, Zhang Lifan.

Por ka edhe nga ata që e kanë mirëkuptuar presidentin rus. “Është traditë që burra me dinjitet të respektojnë zonjat në daljet publike dhe në një vend të ftohtë si Rusia është normale që një mashkull të ndihmojë femrat të heqin ose vendosin xhaketat e tyre”, thotë Li Xin, një njohës i mirë i marrëdhënieve ruso-kineze.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel