Cameron: S’duam një tjetër Luftë të Ftohtë me Rusinë

10/11/2014 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron, bëri të ditur gjatë së hënës se Britania nuk dëshiron një Luftë të re të Ftohtë me Rusinë, por la të kuptohej se ai është gati të mbështesë sanksione më të ashpra kundër Moskës, nëse ajo vazhdon ta destabilizojë Ukrainën.

Duke iu adresuar një audience në Londër në banketin e kryebashkiakëve, një event tradicionalisht i dominuar nga krizat e politikës së jashtme aktuale, Cameron tha se veprimet e Rusisë përbëjnë një kërcënim të madh ndaj pjesës tjetër të Europës, ndaj dhe nuk është vonë për të shmangur një Luftë të Ftohtë të re.

Ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, paralajmëroi javën e kaluar se tensionet Lindje-Perëndim mbi krizën në Ukrainë po kërcënojnë ta shtyjnë botën drejt një Lufte të re të Ftohtë.

“Ky nuk është një rezultat që ne e dëshirojmë dhe as nuk e konsiderojmë të paevitueshëm”, tha Cameron. “Do ta bëj të qartë këtë edhe në takimin me Presidentin Putin në Brisbane, këtë fundjavë”.

Cameron dhe Putin do të marrin pjesë në takimin e liderëve të G20-s në Australi, që do të mbahet më 15-16 nëntor. Lideri britanik foli pas ngjarjeve të fundjavës, gjatë së cilave u shënuan bombardimet më të rënda në Donjeck të Ukrainës, të kryera nga rebelë dhe forca qeveritare, si dhe dërgmin e trupave ruse dhe tankeve për të përforcuar separatistët.

Top Channel