Sammer: Ne, lindorët, ëndërronim Bundesligën

09/11/2014 00:00

Drejtori sportiv i Bayern Munchen aktualisht, dhe ish-lojtar i kombëtares së Gjermanisë Lindore, Matthias Sammer, tha se rrëzimi i Murit të Berlinit, 25 vjet më parë, nënkuptonte për të realizimin e një ëndrre të madhe: ai do të mund të luante futboll në Bundesliga.

Hapja e kufijve brenda kryeqytetit gjerman më 9 nëntor 1989 shënoi shembjen e Republikës (komuniste) Demokratike Gjermane (RDGJ), e çoi në ribashkimin e Gjermanisë në një të vetme në tetorin e 1990, duke ndryshuar jetët e miliona gjermano-lindorëve, përfshi këtu edhe Sammerit, i cili ishte bllokuar pas perdes së hekurt.

47-vjeçari është në rolin e drejtuesit të Bayernit sot, duke ndihmuar gjigantët bavarezë të ngrinin trofeun e Champions League në vitin 2013, ndërkohë që ekipi i drejtuar sot nga Pep Guardiola është ende i pamposhtur në Bundesliga, si dhe kryesues i shkëputur i saj.

Gjatë karrierës si futbollist, Sammer zhvilloi 23 ndeshje për Gjermaninë Lindore, e më pas 51 takime për Gjermaninë e bashkuar në 1990-n, si dhe ka qenë pjesë e ekipit që u shpall kampione Europe në vitin 1996 në Angli.

Mesfushori me tipare mbrojtëse fitoi edhe trofeun e Championsit me Borussia Dortmundin në vitin 1997, ndërkohë që fitoi edhe trofeun e Topit të Artë një vit më parë, ’96. Por, në vitin 1989, Sammer, i lindur në Dresden, ishte vetëm 22 vjeç dhe luante si për Dynamo Dresden në kampionatin elitar të Gjermanisë Lindore, ashtu edhe për përfaqësuesen e RDGJ-së, ndërsa ëndrra për të luajtur në Bundesligën e RFGJ-së dukej përtej kufijve.

“Ishim duke u përgatitur në Lajpcig për një ndeshje kualifikuese botërori kundër Austrisë, kur dëgjuam lajmin e madh, por në atë moment gjithçka kishte kaluar në ekstazë, jo vetëm futbolli”, tha Sammer për të përditshmen gjermane “Bild”, në lidhje me kujtimet e tij të atij 9 nëntori të 1989-s.

“Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ishte fakti që ndoshta ëndrra mund të bëhej realitet, sigurisht për të luajtur në Bundesliga. Ishte një ëndërr e shumë futbollistëve të Gjermanisë Lindore, por për këtë gjë nuk mund të flisje kurrë hapur”.

Megjithatë, Sammer u fut disi në “sherr” me zyrtarët e Gjermanisë Lindore menjëherë pasi ra Muri i Berlinit, vetëm sepse foli me ish-trajnerin e Stuttgartit të asaj kohe, Arie Haan, në një hotel të Dresdenit, në fund të viteve ’80. Ai ishte një takim rastësor, të cilin më vonë lojtari e raportoi te “Stasi”, apo policia sekrete e ish-RDGJ-së.

“E takova Haanin rastësisht në hotelin e Dresdenit dhe me sharmin e tij holandez më tha se mund të luaja për ndonjë ekip të Bundesligës tashmë”, tregon Sammer. “Por në atë moment nuk mund të mos mendoja mbi ndonjë ‘provokim’ ndaj meje. Ndaj m’u desh ta raportoja takimin te Stasi dhe të shpjegoja se çfarë ishte biseduar me Haanin”.

Sammer tregon se disa shokë skuadre te Dresdeni ishin detyruar t’i jepnin fund karrierës, vetëm sepse kishin mbajtur kontaktet me familjarë të tyre në Perëndim, gjëra këto që ishin tabu në atë kohë.

Sammer u bashkua me ekipin gjermano-perëndimor të Stuttgartit në korrik 1990, 8 muaj pasi ra Muri i Berlinit, duke shënuar 11 gola në sezonin e parë të Bundesligës për të. Ai ndihmoi ekipin e tij të ri të shpallej kampioni i parë i Gjermanisë së bashkuar, në sezonin 1991-92.

Top Channel