Muller: Jemi duke zhvilluar një futboll “perfekt”

09/11/2014 00:00

Anësori sulmues i Gjermanisë, Thomas Muller, ka thënë se Bayern Munchen po luan thuajse një futboll perfekt, pasi gjigantët bavarezë e thelluan kryesimin në Bundesligë me 7 pikë, edhe pse rivalët më të afërt, Wolfsburg dhe M’gladbach ende nuk kanë zhvilluar ndeshjen e tyre të javës së 11.

Bayerni i Pep Guardiolës siguroi fitoren e 8 në 11 ndeshje të kampionatit gjerman deri më tani, pas 4 golave të shënuar ndaj Eintracht Frankfurtit të mesit të tabelës, të drejtuar nga Thomas Schaaf.

Pas kthimit nga fitorja 2-0 ndaj Romës në mesjavë, gjë që konfirmoi edhe një biletë për bavarezët në raundin e 1/8-ave të Champions League si fitues i grupit, Muller kaloi në avantazh ekipin e tij në minutën e 23-të, e më pas realizoi edhe 2 gola të tjerë brenda 3 minutave në pjesën e dytë.

Ekipi i Guardiolës po dominon bindshëm kundërshtarët, si në Gjermani edhe në Europë, duke mbajtur thuajse të pandryshuar kontrollin e topit prej 70% në çdo ndeshje. Bayern vijon të jetë i pamposhtur në të gjitha kompeticionet pas 17 ndeshjeve të para të këtij sezoni, duke humbur vetëm 6 pikë në kampionat (3 barazime).

“Aktualisht jemi duke luajtur thuajse në perfeksion, duke mos gabuar asnjë top të vetëm”, tha 25-vjeçari, i cili është grumbulluar sërish në kombëtare për ndeshjen kualifikuese të Europianit ndaj Gjibraltarit, si dhe për miqësoren me Spanjën që do të luhet 4 ditë më vonë.

Në ndeshjet e tjera, bie në sy fitorja e Werder Bremenit, ndaj Stuttgartit 2-0, gjë që çon automatikisht të fundit Borussia Dortmundin, që në fakt do të luajë ndaj Gladbachut të vendit të tretë këtë të diel.

Top Channel