Vendimi i dyshimtë i UEFA-s

08/11/2014 00:00

Top Channel disponon deklaratat e zyrtarëve të ndeshjes Serbi-Shqipëri, dorëzuar në komisionet e UEFA-s, duke filluar nga gjyqtari i ndeshjes, delegati dhe deri tek oficeri i sigurisë.

Të gjithë këta zyrtarë kanë detajuar me minuta atë çka ndodhi në fushë, duke filluar nga hedhja e fishekzjarrve, dronit me banderolë, zaptimi i fushës nga tifozët serbë, goditja e Balës me karrike nga një tifoz vendas i futur në fushë e deri tek hedhja e sendeve të forta gjatë hyrjes së lojtarëve shqiptarë në dhomat e zhveshjes.

Në raportet e tyre, gjytari Atkinson dhe shefi i gjyqtarëve Frohlisch kanë shkruar se, kapiteni i shqipërisë Lorik Cana i ka argumentuar se lojtarët kuqezi e kanë të pamundur të rifillojnë ndeshjen për shkak të gjendjes së tyre fizike dhe psikologjike pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit.

Por çuditërisht, të dy këta zyrtarë pas ketij citimi të Canës kanë shtuar në raport se skuadra shqiptare refuzoi kthimin në fushë. Dhe këtu ngrihet pikëpyetja e parë, pasi siç ka deklaruar vetë Cana dhe zyrtarët më të lartë të FSHF-së, Shqipërisë asnjëherë nuk i është kërkuar nga arbitri i ndeshjes kthimi në fushë dhe ajo asnjëherë nuk ka patur rast të artikulojë asnjë refuzim të prerë.

I vetmi që nuk i ka marrë si refuzim deklaratat e Canës ka qenë delegati i ndeshjes, holandezi Harry Been, i cili në asnjë moment nuk ka shkruar se shqiptarët kanë refuzuar të rifuten në fushë.

Në raportin e tij, delegati holandez ka theksuar se në minutën e ‘14 është djegur flamuri i NATO-s, ndërsa bien në sy dy pika që rëndojnë mbi federatën serbe, gjendja e stadiumit dhe siguria në stadium dhe në fushë.

Por holandezi Been, ndoshta ngaqë nuk ka ditur asnjë fjalë serbisht dhe ndoshta i palajmëruar nga ndonjë zyrtar i FSHF, ka shkruar se nuk ka parë asnjë pankartë apo banderolë diskriminuese në stadium.

Por, ajo që e ben edhe më kontradiktor vendimin e UEFA-s është deklarata e oficerit të sigurise, Vincent Egbers, të cilin UEFA e kishte dërguar në Beograd për ndeshjen e 14 tetorit. Raporti i tij ngel në klasë autoritetet serbe sa i përket sigurisë në stadium.

Duke ilustruar edhe me foto raportin e tij, oficeri Egbers ka shkruar se siguria në stadium ishte shumë e dobët, policia dhe forcat e sigurisë u treguan shumë pasive për të mos lejuar futjen e tifozëve në fushë dhe më pas për të kapur ata që dhunuan futbollistët e Shqipërisë.

Ai përshkruan hedhjen e sendeve të forta nga tifozët në fushë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa e cilëson sjelljen e vendasve “shumë të keqe dhe agresive”.

Do të mjaftonte vetëm përshkrimi i tij për të kuptuar situatën në stadium, që kushdo të kuptonte se ndeshja e Beogradit nuk duhej të ishte zhvilluar në ato kushte, në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq, ajo ndeshje, edhe sikur droni me banderolë të mos ekzistonte, vështirë se do të përfundonte.

Top Channel