Kosovë, lëvizje në bllokun paszgjedhor

08/11/2014 00:00

Koalicioni paszgjedhor në Kosovë, LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje ka bërë dy lëvizje të mëdha politike brenda 24 orëve.

Ndërsa nga njëra anë vendosi që të votojë kryeparlamentarin e propozuar nga PDK për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë, nga ana tjetër, brenda Bllokut është hapur çështja ndryshimit të marrëveshjes paraprake mes subjekteve të koalicionit.

Meqenëse lideri i LDK-së në marrëveshjen e parë ishte parashikuar të kryesonte Kuvendin e Kosovës, post nga i cili Blloku hoqi dorë një ditë më parë, tani partia e Isa Mustafës po kërkon që të drejtojë qeverinë e re.

LDK ka njoftuar për kërkesën e saj edhe përmes një komunikate për media, por edhe përmes deklarimeve publike të zyrtarëve të lartë të saj.

Burime të Top Channel brenda koalicionit paszgjedhor kanë bërë të ditur se kërkesa e Isa Mustafës për t’u bërë kryeministër nuk është pritur mirë nga Ramush Haradinaj, i nominuari i Bllokut për kreun e ekzekutivit në bazë të marrëveshjes së 10 qershorit.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se Mustafa i ka ofruar Haradinajt postin e zëvendëskryeministrit të parë, por me kompetenca më të mëdha.

Por të paktën zyrtarisht, deri tani në AAK nuk ka pasur përgjigje nëse lideri i tyre do të heqë dorë nga pozita që ka synuar prej zgjedhjeve të 8 qershorit.

Kryetari i AAK-së, i shoqëruar nga një këshilltar i lartë i tij ka udhëtuar të shtunën në Gjermani, por në AAK nuk kanë treguar arsyen e vizitës së paparalajmëruar të Haradinajt. Drejt Gjermanisë pritet që në fillim të javës së ardhshme të udhëtojë edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa.

Të shtunën, Nisma për Kosovën ka njoftuar përmes një komunikate se Blloku vazhdon të jetë unik dhe pret që së shpejti të formojë qeverinë e shumicës parlamentare.

Ndërkohë, në kabinetin e presidentes Atifete Jahjaga kanë bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme presidentja do të thërrasë liderët politikë në një takim për të synuar gjetjen e një zgjidhjeje pas zhvillimeve të fundit të kësaj jave.

Top Channel