Ebola, bien rastet e prekjes në Liberi

07/11/2014 00:00

Liberia ka përjetuar një reduktim domethënës sa i takon numrit të rasteve të reja me Ebola, ka deklaruar organizata mjekësore e bamirësisë, Mjekët Pa Kufij.

Organizata thotë se një nga qendrat e saj të mjekimit në Liberi nuk ka raste të reja për momentin, por paralajmëron se Ebola është në rritje në Guine dhe Sierra Leone.

Mjekët Pa Kufij, që ka në stafin e saj mijëra anëtarë të shpërndarë në mbarë Afrikën Perëndimore, konsiderohet si autoriteti më mirë i informuar sa i takon virusit të Ebolës.

Rreth 5 mijë persona nga 14 mijë raste të regjistruara në tërësi janë vrarë nga virusi vdekjeprurës. Chris Stokes, drejtues i MPF, tha për BBC se rënia e numrit të rasteve në Liberi përbën një mundësi për punonjësit shëndetësorë që të kthehen dhe të punojnë në Afrikë.

Megjithatë, ai tha se sëmundja mund të “ngrejë krye” sërish, duke e vënë theksin tek Guinea, ku një numër rastesh të reja janë verifikuar pavarësisht qetësimit të situatës.

Në mënyrë që sëmundja të vihet në kontroll, shtoi Stokes, nevojitet që ajo të frenohet në Liberi, Guine dhe Sierra Leone në të njëjtën kohë.

Nga tre vendet e Afrikës Perëndimore, Liberia ka qenë vendi me më shumë vdekje të regjistruara në këto 11 muaj. Por fundjavën e kaluar Ministria e Shëndetësisë deklaroi se dy të tretat e 696 shtretërve në qendrat mjekësore ishin liruar.

Qeveria e Liberisë ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, duke publikuar mënyrat më të mira të kujdesit shëndetësor dhe duke instaluar stacione për larjen e duarve në ndërtesa të shumta në të gjithë vendin.

Top Channel