BE, Britania mund të paguajë pas zgjedhjeve

07/11/2014 00:00

Britania mund të marrë kohë deri në shtatorin e vitit të ardhshëm për të paguar faturën e diskutueshme buxhetore ndaj Brukselit, bëri të ditur ministri francez i Financave të premten, duke dhënë kështu detajet e propozimit të BE-së për të shmangur atë që kryeministri britanik paralajmëroi se rrezikon të kthehet në “një problem madhor”.

Debati mbi një kontribut buxhetor ndaj BE-së prej 2,1 miliardë eurosh është kthyer në një çështje të kontestueshme në Britani, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të majit të vitit të ardhshëm, duke e vendosur David Cameron nën presion nga euroskeptikët, e duke i kushtuar mbështetjen e britanikëve për anëtarësinë e vendit në Bashkimin Europian.

Propozimi i jep kohë Britanisë, por edhe vendeve të tjera të BE-së, deri në shtatorin e 2015-s për të paguar kontributet, duke i lejuar kështu Cameronit të “shpëtojë lëkurën” e ta konsiderojë këtë çështje pas zgjedhjeve, nëse ai do ta pranojë këtë propozim. Britania mundet gjithashtu ta paguajë kontributin edhe me këste.

Britania ka gjetur simpatinë e Francës, Italisë dhe Gjermanisë, sepse fatura në fjalë i dedikohet një rishikimi statistikor historik, që shtrihet në kohë prej afro 1 dekadë.

“Ajo që mbështes unë është që Britania e Madhe dhe vendet e tjera të BE-së të marrin kohë deri në 2015-n për të paguar, maksimumi deri në 1 shtator, për arsye tepër të kuptueshme”, tha ministri francez i Financave, Michel Sapin.

Italia, e cila mban aktualisht Presidencën e BE-së, prezantoi kompromisin në një takim ndërministerial në Bruksel. Interesat që vendosen zakonisht mbi pagesat e vona buxhetore do të hiqen në këtë rast.

Zyrtarët thanë se Britania ende nuk ka vendosur nëse do ta pranojë këtë kompromis, teksa kjo çështje pritet të debatohet sërish javën e ardhshme, në një tjetër takim në Bruksel, më 14 nëntor.

Ndërkohë, George Osborne u tha reporterëve, teksa mbërrinte në takim, se kërkesat për të paguar brenda afatit përfundimtar të 1 dhjetorit ishin të papranueshme. “Dua t’iu bëj të qartë se ne do të sigurojmë një marrëveshje shumë më të mirë për Britaninë”, tha ai.

Duke folur nga Helsinki, Cameron, i cili u shfaq i irrituar mbi këtë debat në samitin e muajit të kaluar, sugjeroi se ende ka probleme mbi sasinë e faturës për t’u paguar dhe kohën se kur duhet paguar ajo.

“Dy elementët që unë kam bërë absolutisht të qarta, janë se ne nuk mund të paguajmë 2 miliardë euro deri më 1 dhjetor, madje nuk besojmë se mund të paguajmë një sasi të tillë kontributi”, tha Cameron. “Këto janë dy çështje që unë i kam vendosur në tavolinë, shpresoj që të mund të zgjidhen në Ecofin”, shtoi ai, duke iu referuar takimit të sotëm të ministrave të Financave të BE-së në Bruksel.

Top Channel