11 ditë aksion, 278 në pranga; 560 lidhje të prera

07/11/2014 00:00

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe ai i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Arben Seferi mbajtën mbrëmjen e së premtes një deklaratë për mediat, ku bënë bilancin e operacionit kundër lidhjeve ilegale të energjisë.

Kryepolici Didi në fjalën e tij theksoi se operacioni në bashkëpunim me OSHEE ka hyrë tashmë në një fazë të re.

“Të gjitha lidhjet e paligjshme do të ndërpriten. Në këto 11 ditë janë arrestuar 278 persona, janë ndaluar për shpërdorim detyre 17 elektricistë dhe 1 inxhinier. Gjithashtu janë ndërprerë rreth 560 lidhje të paligjshme energjie”, deklaroi Didi.

Ndërsa zoti Seferi e vuri theksin tek serioziteti i këtij operacioni, kur tha se në të janë mobilizuar të gjitha strukturat e shtetit.

“Abuzuesit duhet ta kuptojnë se ky aksion nuk është një lojë. Në këtë aksion janë angazhuar të gjitha strukturat e shtetit”, tha ai.

Seferi falenderoi ata qytetarë që kanë bashkëpunuar gjatë operacionit dhe ftoi të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Top Channel