UEFA pret raportimet e Romës dhe Interit

06/11/2014 00:00

Italia ende nuk është përfshirë nga hija e sheikëve miliarderë, që gjatë këtyre viteve kanë shpenzuar shuma marramendëse përkundrejt rregullit të “Fair-Play”-t financiar, duke i dhënë një shtysë të madhe financave të Manchester Cityt dhe PSG-së, dy prej skuadrave të “përndjekura” nga UEFA.

E megjithatë, për arsye të ndryshme, Inter e Roma kanë përfunduar sërish, në mënyrë të ngjashme me dy ekipet e sipërpërmendura, “nën hetim” dhe tashmë kanë vetëm një objektiv: të shmangin “paralajmërimin” e fundit të UEFA-s.

Organizmi europian i futbollit, i drejtuar nga Michel Platini, njoftoi më 25 shtator se kishte nisur procedurat e hetimit për 7 klube, – mes të cilëve Roma e Interi, veç Bazelit, Krasnodarit, Liverpoolit, Monacos dhe Sporting Lisbonës – për mosrespektim të rregullave financiare të “Fair Play”-t, që u imponon klubeve përgjatë 3 viteve të fundit të mos shpenzojnë më shumë nga sa kanë fituar. Pra objektivi i tyre është minimalisht të ruajnë një bilanc të barabartë.

Por, sipas dokumenteve zyrtare të zotëruara prej “Gazzetta dello Sport”, dy klubet italiane kanë një bilanc “të skuqur”. Rreth 180 milionë euro borxhe për Interin dhe rreth 100 mln euro për Romën.

Delegacioni i parë i cili doli përpara komisionerëve të UEFA-s ka qenë ai i Romës. Një informim i thjeshtë i presidentit James Pallotta, së bashku me drejtuesit Zanzi dhe Baldissoni. Nga “Trigoria” bëjnë të ditur se “takimi ishte pozitiv. Është rinovuar bashkëpunimi me UEFA-n dhe natyrisht ky është fillimi i një procesi, që do të sjellë të tjera hapa”.

Ndërkohë, të premten, përpara komisionerëve të UEFA-s do të ulet delegacioni i Interit, me Thohir në krye. Drejtori i përgjithshëm i klubit zikaltër, Marco Fassone, është shprehur: “Sa për sqarim, rregulli financiar detyron klubet që marrin pjesë në turne kontinentale, të kenë bilance thuajse të barabarta dhe të reduktojnë sa më shumë humbjet. Ne jemi mes atyre klubeve që nuk ia kemi dalë mbanë në mënyrë perfekte gjatë 3 viteve të fundit, ndaj dhe jemi thirrur nga UEFA për një audit. Do të dalim përpara komisionit hetues, jo atij gjykues, që do të nisë një proces pune prej disa muajsh, në fund të të cilit do të dilet me konkluzionet, ndoshta përpara pranverës”.

UEFA nuk do të përgjigjet menjëherë, por rreziqet për dy ekipet italiane janë: zbritje të bonuseve të UEFA-s, reduktim të ekipeve, kufizim të shpenzimeve për merkato. Nëse nuk do të ketë një pakt për të mos shkuar deri në komisionin e Disiplinës, mund të rrezikojnë edhe më shumë. Sanksionet mund të ndihen në sezonin 2015-16.

Top Channel