Siri, krijonte bomba për Khorasanin, vritet francezi?

06/11/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë sulme të reja ajrore mes të mërkurës dhe të enjtes, kundër grupit të ashtuquajtur Khorasan në Siri, një fraksion militantësh të lidhur me al-Qaedan, pasi sipas tyre grupi po planifikonte sulme ndaj Europës ose SHBA-ve.

Në një tjetër njoftim, një zyrtar amerikan tha se një nga objektivat e këtyre sulmeve ishte David Drugeon, një militant i lindur në Francë dhe që ishte konvertuar në musliman, i cili sipas zyrtarëve amerikanë ishte një krijues bombash për grupin Khorasan, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht vrasja e tij.

Zyrtarë amerikanë thanë gjithashtu se ata besojnë që lideri i grupit Khorasan, Muhsin al-Fadhli, i cili ka qenë objektiv i sulmeve ajrore të SHBA-ve në Siri edhe në shtator, ishte ende gjallë. Ende nuk është bërë e ditur nëse ai ka qenë apo jo shënjestër e sulmeve të fundit.

Në deklaratën e dhënë të enjten, Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet e fundit u ndërmorën nga ushtria amerikane kundër 5 objektivave të Khorasanit, pranë Sarmadas në provincën e Idlibit, shumë pranë kufirit me Turqinë dhe në perëndim të Aleppos.

“Jemi ende duke vlerësuar rezultatet e sulmeve, por kemi të dhëna paraprake se ato kanë dhënë efektet e pritura duke goditur terroristët, duke shkatërruar ose dëmtuar rëndë disa prej mjeteve dhe ndërtesave të këtij grupi, ashtu sikurse edhe mjediset e trajnimit dhe krijimit të bombave”, thuhej në deklaratë.

“Kemi ndërmarrë veprime të vendosura për të mbrojtur interesat tona dhe për t’iu hequr atyre aftësitë për të vepruar”, shtonte deklarata, duke shpjeguar se militantët e al-Qaedas janë duke shfrytëzuar avantazhin e konfliktit sirian, për të avancuar më tej me sulmet e tyre kundër interesave të Perëndimit.

Top Channel