Emigrantët i shtojnë 5 mld paund ekonomisë britanike

05/11/2014 00:00

Emigrantët nga 10 vendet që i janë bashkuar BE-së në 2004-n kanë kontribuar në ekonominë britanike më shumë se sa kanë përfituar pej saj.

Të ardhurit, sipas një raporti të Qendrës për Kërkimin dhe Analizimin e Emigracionit në Londër, kanë shtuar prurjet nga taksat me gati 5 miliardë paund, mbi atë çfarë kanë marrë prej shërbimeve publike.

Reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm. Ministri i Emigracionit, James Brokenshire, u shpreh se raporti kishte një “këndvështrim shumë të ngushtë”. Kritika pati edhe nga grupi “Migration Watch”, që pretendon se për hartimin e raportit, të dhënat janë përdorur në mënyrë selektive.

Studimi tregon se emigrantët nga e ashtuquajtura “zonë ekonomike europiane” – Bashkimi Europian plus Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtejn – kanë pasur një kontribut financiar pozitiv, ashtu si dhe ata nga vendet e afruara në BE para një dekade; Qipro, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia.

Analiza përfshin edhe përfitimet e emigrantëve në të gjitha kostot e shërbimeve publike. Në të përmenden po ashtu kostot e rritura kur ka shtim të popullsisë, siç është rasti i shëndetësisë dhe arsimit, dhe ato fikse, siç ndodh me Forcat e Armatosura dhe mbrojtjen.

Nëse përjashtohen këto të fundit, përfitimi neto nga emigracioni prej vendeve si Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, thuhet në raport, është më shume se 10,5 miliardë paund.

Qeveria britanike këmbëngul në kufizimin e emigracionit nga vendet e BE-së, çka po sjell dhe përplasje mes saj e disa anëtarëve të tjerë të bllokut, sidomos Gjermanisë, mbrojtëse të lirisë së lëvizjes.

Pak ditë më parë, revista gjermane “Der Spiegel” shkruante se Angela Merkel është gati ta pranojë daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, në rast se Londra kufizon emigracionin nga vendet e bllokut.

Top Channel