Pesimizëm për gjendjen e Schumi-t

03/11/2014 00:00

Kur para disa javësh Michael Schumacher u transferua në shtëpinë e tij duke lënë spitalin ku ishte i shtruar që nga dhjetori i vitit të kaluar pas aksidentit me ski, të gjithë menduan se kjo ishte një shenjë e përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Por, duke qenë se koha kalon dhe nuk ka asnjë lajm të ri, disa specialistë mendojnë se rekuperimi i ish-pilotit të Formulës 1 nuk po shkon aspak mirë.

Një nga këta specialistë është edhe Gary Harstein, ish-delegat mjekësor i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Ja si shprehet ai për ‘Daily Mail’: “Sa më shumë kalon koha, aq më pak është e mundur që Schumacher të rekuperohet. Thuhet se Schumi nuk është më në koma, por mendoj se po përdorin një gjuhë cinike për të na gënjyer.”

“Nëse Schumi do të ishte zgjuar, nëse do të ishte sadopak i ndërgjegjshëm, do të nxirrnin komunikata duke na treguar se po përpiqet të flasë sërish. Por kjo nuk ka ndodhur”, thotë Harstein, i cili është pesimist duke u nisur nga eksperienca e tij mjekësore.

“Një pacienti që nuk ka asnjë përmirësim neurologjik i mbesin vetëm disa muaj jetë. Unë mendoj se bota duhet të përgatitet t’i japë lamtumirën yllit më të madh të automobilizmit”, shtoi Gary Harstein.

Top Channel