Bayerni, ende i uritur për fitore ndaj Romës

03/11/2014 00:00

Bayern Munchen do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera, përpara se kampionatet të ndalen sërish për t’i lënë vendin ndeshjeve të kombëtareve.

Bavarezët do të udhëtojnë drejt Frankfurtit, për t’u ndeshur me Eintrachtin të shtunën, për Bundesligën, me synimin për 3 pikë të tjera në transfertë, por deri atëherë të besuarit e Pep Guardiolës do të kërkojnë një tjetër fitore, këtë herë në Champions, ndaj Romës, 3-pikësh që do t’u siguronte atyre kreun e grupit E pas vetëm 4 ndeshjesh në grup.

“Jemi ende tepër të uritur për suksese dhe shumë ambiciozë”, u shpreh David Alaba në konferencën për shtyp në qendrën mediatike “Sabener Strasse”, 2 ditë përpara përballjes së të mërkurës në Europë.

Bayerni, i cili zhvilloi një seancë stërvitore me dyer të mbyllura teksa niste përgatitjet për ndeshjen me Romën pasditen e së hënës, e ka fshirë nga kujtesa atë triumf sensacional 7-1 në kryeqytetin italian, dy javë më parë.

“Roma mbetet sërish një skuadër e fortë, – këmbëngul Alaba. – Ata vijnë të luajnë ndaj nesh për të kërkuar pikë, madje kanë edhe lojtarë të aftë për të vendosur fatet e një ndeshjeje edhe të vetëm”.

Gjermanët e dinë se Francesco Totti dhe kolegët e tij do të bëjnë gjithçka të mundshme për të larguar kujtimin e keq të asaj humbjeje të tmerrshme për ta.

Top Channel