Zvicra “ndalon” shqiponjën

02/11/2014 00:00

Futbollistët shqiptarë të kombëtares së Zvicrës nuk do të kenë më mundësinë të festojnë pas shënimit të golave duke kryqëzuar duart, një gjest ky që nënkupton simbolin e flamurit tonë, shqiponjën dykrenare.

Lajmi është publikuar nga zëdhënësi i Federatës zvicerane të Futbollit, Marco von Ah, i cili gjatë një interviste për një media vendase ka theksuar se para ndeshjes me Lituaninë, të gjithë lojtarët e kombëtares do të marrin leksione për sjelljen e tyre në fushë. Von Ah ka deklaruar gjithashtu se këto gjeste mund të jenë problematike, ndonëse simboli, me të cilin festojnë një pjesë e futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, nuk përmban asnjë shprehje racizmi apo ksenofobie.

Sipas gazetës “Sonntag Zeitung”, shumë tifozë zviceranë kanë shprehur pakënaqësi për gjestet që Kasami dhe Xhaka bënë pas golave të shënuar në portën e Juventusit dhe Hanoverit.

Madje, kjo gazetë shkruan gjithashtu se tifozët duan që ky rregull të përfshijë edhe klubet ku aktivizohen shqiptarët që luajnë për fanelën e kombëtares së Zvicrës. 

Top Channel