F1, këtë herë dominon “mercedesi” i Rosberg

01/11/2014 00:00

Mban gjithmonë firmën “Mercedes” sesioni i provave zyrtare të Formula 1. Por këtë herë në pole position buzëqesh i lumtur Nico Rosberg, që ka fituar kështu pole-in e nëntë në sezon dhe i kujton Lewis Hamilton, fitues i katër garave rresht, se Botërori nuk ka përfunduar ende.

Gjatë provave piloti gjerman ka qenë gjithmonë mbrapa anglezit, edhe për intertësinë e tre të mijëtave, por këtë herë ai ka realizuar një performancë të përsosur, të bazuar në një diferencë prej katër të dhjetat.

Pas dyshes së “Mercedes” vjen finlandezi Bottas, që me “Williams” po lë gjithnjë e më shumë pas vetes konkurrentët. Kështu, Massa, edhe ai me “Williams” është renditur i katërti, i ndjekur nga Ricciardo në të pestin.

Ndërsa “Ferrari” i spanjollit Fernando Alonso ka zënë vetëm vendin e gjashtë, ndërsa “kokëkuqja” tjetër e Kimi Raikkonen e nënta, e paraprirë nga “McLaren” i Button dhe Magnussen.

Tani gjithçka i mbetet garës, që mund të kushtëzohet nga moti (diell në prova, por temperatura të ulëta dhe erera të lehta) e që do të ketë një pikë kritike sa i takon strategjisë.

Sipas të dhënave të kompanisë “Pirelli”, zgjedhja për 3 ndalesa (krahasuar me 2) sjell një avantazh prej tre sekondash. Por megjithatë, në vartësi të garës, shumica e konkurrentëve do të synojnë vetëm dy ndalesa.

Top Channel