Dortmundi kërkon “kthesën” ndaj Bayernit

01/11/2014 00:00

Dortmundi do të shpresojë t’i japë fund ecurisë negative në Bundesliga, e të rigjejë formën e shfaqur gjatë ndeshjeve të Champions League, kur të përballen me Bayern Munchen këtë të shtunë.

Ekipi i Jurgen Klopp ka humbur në 4 takimet e fundit për kampionat, por ka marrë maksimumin nga 3 ndeshjet e para në Europë.

Bayerni ndërkohë nuk po shfaq atë paraqitje të jashtëzakonshme si sezonin e kaluar, siç tregoi edhe ndeshja ndaj Borussia M’gladbach javën e kaluar, kur rivalët e vjetër të bavarezëve mund të kishin fituar ndeshjen, në rast se nuk do të ishte Manuel Neuer, me ndërhyrjet e tij spektakolare, që ruajti barazimin.

Me atë ndeshje, Bayern tregoi se edhe mund të mposhtet dhe Dortmundi, ekipi i fundit gjerman që i ka mposhtur ata në Superkupën e Gjermanisë, verën që sapo lamë pas, do të përpiqet të shfrytëzojë të gjitha shanset e tij.

Ata udhëtojnë drejt “Allianz Arena”-s të shtunën për një ndeshje që zakonisht është zhvilluar mes kryesuesish, pavarësisht se ky fillimsezoni e sheh Dortmundin në vendet e fundit të renditjes, me 7 pikë në 9 javë kampionati, me vetëm 2 fitore të regjistruara.

“Futbolli është një lojë që kërkon krijimin e shanseve dhe, kur e bën këtë gjë, atëherë të duhet t’i shfrytëzosh ato”, tha Klopp. “Ajo që po bëjmë nuk është katastrofale, por duhet të bëjmë më shumë për të marrë rezultate pozitive”.

Top Channel