Ja sa do të rriten taksat

31/10/2014 00:00

Familjet shqiptare pritet të përballen me një tjetër valë rritjesh të
taksave vitin e ardhshëm. Top Channel zbardh të plotë variantin zyrtar
të Ministrisë së Financave për paketën e re fiskale, që shoqëron
buxhetin e vitit 2015.

Sipas dokumentit, ndryshimet nisin me taksat që vendosen mbi të ardhurat personale. Aktualisht përveç pagës, çdo e ardhur personale taksohet në nivelin 10 për qind. Këtu përfshihen të ardhurat që individët fitojnë nga dividenti, pronat që kanë dhënë me qira, interesat e depozitave në banka, e drejta e autorit, pronësia intelektuale dhe çdo burim tjetër.

Por nga një janari i vitit të ardhshëm norma e taksimit për të gjitha këto burime të ardhurash do të rritet nga 10 në 15 për qind. Përmes kësaj lëvizje Qeveria do të marrë 5 miliardë lekë ose 50 milionë dollarë shtesë në buxhet krahasuar me nivelin aktual.

Zëri i dytë që rritet është taksa e qarkullimit që paguhet në çmimin fundor të karburantit. Aktualisht kjo taksë është 17 lekë për çdo litër karburant. Por nga një janari ajo shkon në 27 lekë për litër. Së bashku me efektin që vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, qytetarët do të paguajnë në totalë 6.7 miliardë lekë ose 67 milionë dollarë më shumë për këtë taksë.

Ndryshimi i tretë që prek drejtpërdrejt qytetarët është taksa e automjeteve të përdorura. Aktualisht kjo taksë llogaritet në bazë të një formule, e cila bazohet në fuqinë motorike të autmojetit, vitin e prodhimit dhe llojin e karburantit, që ai përdor. Sipas Ministrisië së Financave, pavarësisht formulës, nga një janari i vitit të ardhshëm taksa për automjetet e përdorura nuk do të jetë më e vogël se 10 mijë lekë në vit. Kjo lëvizje bën që barra të rritet për më shumë se 193 mijë automjete, të cilat sipas llogarive të vetë Ministrisië aktualisht paguajnë një taksë më të ulët se 10 mijë lekë. Ndryshimi i fundit është ai që Qeveria e ka shpallur disa muaj më parë dhe që lidhet me rritjen e akcizës së duhanit me 20 lekë të tjera për paketë.

Në total të gjitha këto lëvizje e rrisin barrën e taksave për qytetarët me 163 milionë dollarë për vitin e ardhëshëm. Por në të njëjtën kohë qeveria ka rishikuar në ulje disa taksa të tjera, të cilat e zbresin efektin neto të rritjes së taksave në 137 milionë dollarë.  

Top Channel