Ekonomia sipas opozitës

29/10/2014 00:00

Për të biseduar mbi zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare dhe politikën e vendit që ka ndikim në këtë fushë, i ftuar në studion e Revistës Informative të Mbrëmjes ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima.

Pandi Gjata: Së pari do të doja një vlerësim mbi ekonominë shqiptare në termat e saj kryesorë, sipas këndvështrimit të opozitës…?

Florion Mima: Që prej seancës inaugurale të qeverisë së re në Shtator të vitit 2013, opozita e PD-së dhe aleatëve të saj kanë theksuar me forcë që ne s’duam kurrsesi që kjo qeveri të dështojë, veçanërisht në fushën ekonomike. Ne gjykojmë se ekonomia është e të gjithë shqiptarëve, është mundi, djersa, kursimet e investimet e qindra mijëra shqiptarëve, duke mos pasur rëndësi nëse je i majtë apo i djathtë. E kemi uruar këtë me gjithë shpirt, por gjasat kanë qenë, që nga fushata elektorale dhe pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, që Partia Socialiste me të ardhur në qeveri do të ç’bënte gjithçka të mirë të kryer me mundin dhe djersën e shqiptarëve dhe, fatkeqësisht, parandienja jonë po provohet se ka qenë e vërtetë. Kjo, pasi po provohen parandienjat tona për më shumë të papunë, për më pak zhvillim dhe rritje ekonomike, dhe për një sërë faktorësh e indikatorësh makroekonomikë të përkeqësuar. Që në tremujorin e tretë të 2013-s, me rritje pozitive në momentin e ndryshimit të kabineteve qeveritare, automatikisht tremujori pasues ka qenë negativ. Ndërsa tremujori i parë i 2014-s ka pasur një rritje fare simbolike, i cili pasohet nga një tremujor i dytë sërish negativ. Të gjithë komponentët që përbëjnë Prodhimin e Përgjithshëm Bruto; investimet, konsumi, eksporti dhe importi; janë të përkeqësuar. Jo për shkak të krizës në vendet e rajonit apo vendet partnere, me të cilat ne kemi pjesën më të madhe të transaksioneve tregtare, por për shkak të miopisë dhe fanatizmit të një qeverie, e cila me këmbëngulje vendosi të çmontojë të gjitha asetet dhe xhevahiret që politika shqiptare, jo vetëm ajo e djathtë, kishte realizuar në 20 vite demokraci.

Pandi Gjata: Duke iu referuar raportit më të fundit, të para dy ditëve, të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, edhe pse rivlerëson disa risqe, në fund të fundit bën të ditur se ekonomia shqiptare po kthehet në ekuilibër…

Florion Mima: Ka një vlerësim që bëhet nga Banka e Shqipërisë, që mat indeksin e besimit në ekonomi. Sa për kuriozitet, është një intervistë që bëhet nëpërmjet telefonit me një numër fare të vogël biznesesh dhe individësh, të cilët pyeten se si u duket ekonomia. Si do të duket nesër? Do të ketë më shumë punësim? Do të ketë më shumë shitje? Do të keni më shumë të ardhura? Pra janë disa pyetje të thjeshta që bëhen me telefon dhe, sa herë që ka një rotacion politik, përgjigjet e njerëzve vlerësohen që nuk janë gjithmonë të sinqerta, por tentojnë edhe për të mos i hapur telashe vetes duke u përgjigjur ashtu siç kërkon intervistuesi. Ky është thelbi i këtij vlerësimi që është dhënë, sipas të cilit ka sinjale pozitive. Megjithatë, sinqerisht iu them se në këtë fushë nuk ka as ekonomist demokrat dhe as socialist, por ekonomist shqiptar të cilit i dhemb ekonomia shqiptare, ndaj uroj që kjo të jetë e vërtetë dhe të materializohet. Por, duke parë në terren prishjen e ndërtimeve të ligjshme, me arrestimet e biznesmenëve, me arrestimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile, me arrestimet e debitorëve të energjisë elektrike, pjesa më e madhe e të cilëve janë me ndihmë ekonomike, gjykoj që klima nuk është pozitive dhe perspektiva nuk është e qartë.

Pandi Gjata: Për ta aktualizuar, po diskutohet prej ditësh – dhe ju si opozitë keni mbajtur qëndrimet tuaja – që të kemi tashmë një rritje të akcizës apo taksës së qarkullimit. Nëse ndodh kështu, çfarë efekti do të ketë?

Florion Mima: Akciza e cigareve është miratuar tashmë me rritje. Në vetëm 1 vit qeverisjeje, kemi dy rritje me nga 20 lekë të saj dhe rezultatet nuk janë ato që priteshin. Në të gjitha taksat, ku Partia Socialiste prezantoi rritje, performanca ka ardhur duke u përkeqësuar. I vetmi drejtim, që performon mirë dhe që është “shtylla kurrizore” e sistemit fiskal shqiptar, vazhdon të jetë TVSH-ja, por edhe kjo indirekt konfirmon tezën e PD-së se të varfërit po vazhdojnë të paguajnë të gjitha taksat. Nuk është e vërtetë që 97% e shqiptarëve paguajnë më pak, përkundrazi 100% e shqiptarëve po paguajnë më shumë. Sa i përket taksës së qarkullimit, besoj se do të jetë pjesë e paketës fiskale, të cilën ende nuk e kemi parë. Sot ka pasur një njoftim zyrtar se ekzekutivi e ka paraqitur në zyrat e Kuvendit, ndërsa në momentin e duhur ne do ta analizojmë të gjithë paketën. Nga sinjalet që kemi, bëhet fjalë për një rritje të taksës së qarkullimit për çdo litër karburant me 10 lekë të tjera, e cila e ponderuar edhe me 2 lekët e TVSH-së, shkon në 12 lekë shtrenjtim në një moment aspak të favorshëm për ekonominë shqiptare. Çka do të bëjë që do të zhvaten dhjetra milionë euro nga xhepat e konsumatorëve shqiptarë, apo bizneseve, të cilat e kanë karburantin pjesë të elementëve përbërës të kostos së mallrave dhe shërbimeve që ofrojnë. Po flitet gjithashtu për taksa të reja dhe me keqardhje konstatoj se paralajmërimi ynë që – nëse gjërat nuk do të ecnin mirë në ekonominë dhe financat publike – FMN dhe qeveria kishin gati një paketë të dytë po materializohet.

Pandi Gjata: A është e drejtë qasja e mazhorancës ndaj problemit të energjisë elektrike? Kemi një aksion të nisur dy ditë më parë për të arrestuar të gjithë ata që e vjedhin, si konsumatorë apo edhe biznese, një histori që bëhet për të shmangur humbjet e mëdha që ka ky sistem, i cili rrezikon kolapsin sipas drejtuesve të energjitikës dhe qeverisë…?

Florion Mima: Sistemi ka qenë vazhdimisht me humbje dhe fushëveprimi është tejet kompleks për hir të së vërtetës, madje edhe i vështirë për t’u zgjidhur. Unë e kam drejtuar atë Ministri për një kohë fare të shkurtër, por më besoni që është një nga problemet më të vështira, me të cilat ky vend në një moment do të duhej të përballej. Gjykoj se përqasja e qeverisë nuk është ajo e duhura, pasi kemi një argument financiar. Të gjithë zyrtarët pretendojnë se në fund të vitit 2018 ndërmarrja do të dalë me fitim… Në qoftë se do të bëhet kjo, për një ndërmarrje ku shteti duhet të marrë edhe pjesën e taksave, për mua është totalisht e gabuar, kjo sepse qasja financiare duhet vënë në të njëjtën vijë me qasjen morale. A ka moral ky shtet që të fusë në burg një njeri, i cili ka halle dhe nuk ka bukë për të ushqyer fëmijët e tij? Absolutisht që qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike ka nisur me një sentencë, e cila është e pamohueshme: PD nuk i del në krah asnjë vjedhësi dhe shpërdoruesi të energjisë elektrike. Këto që themi ne nuk kanë të bëjnë me daljen në krah të vjedhësve, përkundrazi, kanë të bëjnë me paralajmërimin e qeverisë, aktori i vetëm që po kalon semaforin me dritë të kuqe… Nëse qeveria do të kishte bërë të gjitha punët e saj, atëherë po, por ne nuk jemi në një fazë të tillë. Të përmendim disa shifra për ta kuptuar më mirë problemin. Nga 1 mln e 200 mijë abonentë që ka sistemi energjitik shqiptar, rreth 220 mijë prej tyre faturohen me zero… a mund të jetë e vërtetë kjo, që këta persona nuk harxhojnë asnjë kilovat? Mungon një verifikim në terren për këtë. Më tej, 200 mijë të tjerë janë me harxhim deri në 100 kW. Edhe kjo më duket e pabesueshme. 33% të tjerë, rreth 440 mijë, faturohen nga 100-300 kW. Një shifër totalisht e pabesueshme. Pra, vetëm pjesa që ngelet, rreth 25%, janë persona që faturohen me mbi 300 kW. Unë gjykoj që qeveria po e bën këtë lëvizje për të mbuluar rritjen e pritshme të çmimit, ndryshe nga çfarë deklaron Kryeministri.

Pandi Gjata: Pse është e gabuar rritja e çmimit të energjisë elektrike, ndërkohë që edhe gjatë qeverisjes suaj ka pasur rritje të këtij çmimi…?

Florion Mima: E vetmja rritje që është bërë është ajo e vitit 2009, e cila ka fiksuar çmimet aktuale, dhe u bë për të dhënë garanci në sistem, që furnitorët dhe blerësit të kishin mundësi t’i afroheshin sa më shumë rezultatit pozitiv. Nëse punët për verifikimin e këtyre grupeve të mëdha, të identifikuar më sipër, nëse bëhen investimet e duhura, pasi matësat me disk rrotullues i përkasin së shkuarës dhe duhen zëvendësuar me matësa dixhitalë, atëherë do të ketë një menaxhim më të mirë.

Pandi Gjata: Çfarë përgjegjësie ka Partia Demokratike, e cila ka qeverisur për 8 vjet. Ky është një problem i mbartur, qeveria aktuale iu akuzon se latë një situatë kaotike në këtë sistem, shto këtu edhe pjesën e historisë së CEZ-it…?

Florion Mima: Mund të ndalemi te secila prej këtyre që thatë, por për mua janë totalisht të pavërteta dhe janë shfajësime, pasi ata po përballen me ndëshkimin e paralajmëruar. Po thoja se pasi të zëvendësohen matësat elektrikë…

Pandi Gjata: Çfarë kostoje ka ky ndryshim sipas jush?

Florion Mima: Jo më shumë se 200 mln euro dhe sot, kjo qeveri i ka mundësitë t’i gjejë këto parà. Sot kjo qeveri po noton mbi parà, falë huave të FMN-së, apo ato të BB-së specifikisht për sektorin energjitik, ndaj dhe fare lehtë mund të ecet në këtë rrugë. Duhet prezantimi i matësave dixhitalë, i kabinave, nënstacioneve, fiterave, apo kabllot, të cilat duhen të jenë ABC, të veshur, në mënyrë që të mos ketë mundësi kontakti nga një vjedhës i jashtëm. Pasi të bëjë gjithë këto punë, moralisht qeveria ka të drejtë të ndërmarrë edhe masa represive. Kjo që po ndodh është jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos paralajmërimi që Policia do të monitorojë Prokurorinë dhe gjykatat, kjo është e frikshme. Metoda të tilla policeske të shtetit janë totalisht të papranueshme në një demokraci. PD do të qëndrojë fort në mbrojtje të viktimave që po shantazhohen nga një ekzekutiv totalisht i papërgjegjshëm.

Pandi Gjata: Thoni që do të qëndroni fort, por jeni jashtë Parlamentit… Flasim për çështje të rëndësishme ekonomike, por që kanë të bëjnë edhe me politikën, si aktor i rëndësishëm në të gjitha këto vendimmarrje. A parashikohet të futeni shpejt në Parlament për të çuar amendamentet tuaja si opozitë, për të kundërshtuar në foltoren e Kuvendit, apo…? Deri në fund të vitit do të kemi edhe paketën e re fiskale, që do të jetë debati kryesor për atë që pritet për qeverisjen e vitit të ardhshëm…?

Florion Mima: Jemi në pritje të veprimeve korrigjuese nga ana e ekzekutivit shqiptar dhe mazhorancës. Në fakt ka një sinjal pozitiv, që kulmoi të enjten e kaluar me futjen në rendin e ditës të ngritjes së dy komisioneve, të cilat ishin rrëzuar po nga kjo mazhorancë, por që nga presioni i PD-së dhe aleatëve të saj perëndimorë, me sa duket u dha një sinjal. Uroj dhe shpresoj që edhe për pikat e tjera të ngritura prej nesh të gjendet konsensusi, pasi ky është një vend i të gjithë shqiptarëve, si demokratë apo edhe socialistë. Kemi zgjedhur të jetojmë këtu, të përmirësojnë jetën e fëmijëve tanë këtu dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë fëmijët e këtij vendi. Detyrimisht duhet të gjendet gjuha e përbashkët. Mendoj gjithashtu se ai, i cili ndihet më i fortë apo që ka më shumë muskuj, duhet të tërhiqet dhe të përulet për hir të të ardhmes së vendit.

Pandi Gjata: Duke u zhveshur nga petku partiak, e duke folur si njohës i mirë i ekonomisë, a shikoni dritë në fund të tunelit për ekonominë shqiptare? Jeni pesimist apo optimist?

Florion Mima: Besoj se po, nëse qeveria gjen forcë e kurajo, sepse nuk është kurrë turp të thuash që zbatova një program të gabuar. Kjo pasi shumica e atyre që kanë ndihmuar në dizenjimin e këtij korpusi ligjesh janë njerëz që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, duke mos e pasur idenë se ç’ndodh në këtë territor. Ndaj mund ta kalosh një gjë dhe të kthehesh në elementë që u provuan si të suksesshëm, pavarësisht se ato janë propozuar nga konkurrenti yt. Nëse qeveria merr kthesën, jam optimist se drita do të dalë në fund të tunelit, në të kundërt parashikoj përkeqësim.

Top Channel