Për Diwali, në shtëpinë e familjes Akurathi

27/10/2014 00:00

“Gëzuar Diwalin! Festën e dritave, ku e mira triumfon mbi të keqen! Një ndër festat më të rëndësishme në komuntetin hindu, që festohet në të gjithë botën. Jam në një apartament në zemër të kryeqytetit, në zonën e ish-bllokut, pikërisht në familjen e zotit Balagangadhar Akurathit”.

“Është kënaqësi të jemi në shtëpinë tuaj për këtë rast të veçantë”.

“Është nder, jemi të nderuar, jeni të mirëpritur për ‘divali fest’ në shtëpinë tonë. Kjo është gruaja ime e mrekullueshme, Sunitha, dhe kjo vajza, Laasya Varshini”…

Është hera e parë, që Diwalin e festojnë larg vendit të tyre, larg familjes së madhe. Ata janë nga Chirala, qytet në shtetin Andhra të Indisë. Bala, siç i pëlqen ta thërrasin miqtë, 6 muaj më parë filloi punë si konsulent “softëare”-sh në Shqipëri dhe, pas 3 muajsh, me të u bashkua dhe bashkëshortja e vajza.

Edhe pse Shqipëria është shumë larg kësaj tradite, ata po i respektojnë ritualet e festës. Veshje të reja, ushqime tradicionale dhe dhurata për familjarët.

“Varësja e stilit europian është për gruan, ndërsa për vajzën një fustan princeshe. Ajo zgjedh një veshje të re dhe kjo është dhurata për mua. Unë e marr dhe e vesh, si zgjedhjen më të mirë që ajo ka bërë”.

Sunitha ka veshur sarin e ri prej mëndafshi, ka zbukuruar dorën me kënà dhe ka vendosur shumë aksesorë. Në vendin e saj, floriri dyfishon bukurinë e femrës dhe ajo nuk është e kufizuar në përzgjedhje. Ka vendosur byrzylykë, vathë e varëse, por njëra prej tyre është më e rëndësishmja…

“Kjo quhet mangalsutra, e vendos ditën e martesës”.

Varësja për ta ka domethënien e unazës së martesës për ne. E veçanta është se, në çdo përvjetor, kjo varëse pasurohet me një medalion, që ka kuptim për çiftin. Nuk është vetëm një aksesor, por histori e 6 viteve martesë.

Zonja e shtëpisë na fton të shohim një fustan të qëndisur, të cilin e vesh një herë në vit, ditën e përvjetorit të lidhjes së saj në kurorë!

Është koha e drekës! Çdo tryezë, gjatë javës së festës, duhet të jetë e pasur. Vakti është i rëndësishëm dhe, për ta respektuar, gazetarja vendos shallin që quhet duputta.

“Ky është një vakt i thjeshtë, i përgatitur në shtëpi. Këto janë receta tradicionale të festës, që nuk do t’i gjeni në asnjë restorant, në qoftë se do të jeni në Indi në këtë periudhë. E veçanta është se, jo vetëm në këtë vakt, por gjithmonë, dreka apo darka fillon me diçka të ëmbël. Në Indi, shumica e ushqimeve konsumohen me duar. Orizi nuk mungon asnjëherë në tryezat indiane. Veçanërisht në ditë feste ai është i përgatitur me shumë kujdes. Sa i përket recetës, kemi oriz, lëng limoni, kikirik dhe spec i kuq djegës dhe shumë erëza të tjera. Të zotët e shtëpisë e konsumojnë me lehtësi orizin me duar, pavarësisht se mua (gazetaren) më lejuan të përdor lugën. E fundit shërbehet ëmbëlsira, e cila duket se ka në përbërjen e saj makarona të veçanta, me qumësht, arrë kokosi dhe disa erëza. Ngjason me sultjashin, por me më shumë erëza dhe jo me oriz, por me makarona”.

Erëzat dhe idhujt janë gjërat që i marrin me vete kudo ku shkojnë. Çdo familje indiane ka në shtëpi një kënd të veçantë për të kryer ritualin e falënderimit të Zotit, lutjes.

Disa nga traditat nuk kanë ndryshuar pavarësisht kohëve moderne. Në këtë familje indiane në Tiranë është festuar Diwali!

Top Channel